Banner
Banner

Video

Lista e mbeshtetesve

Te nderuar miq,

Ju faleminderit per kontributin tuaj! Ne kete hapesire do te publikojme listen e mbeshtetesve qe kane ndihmuar financiarisht gazeten.

Mbeshtetesit e deritanishem:

  1. Agim Saracini
  2. Alfred Perlala
  3. Erida Cela
  4. Gjoke Gojcaj
  5. Fatos Nushi
  6. Albulena Rrafshi
  7. Enver Spahiu
  8. Fitim Rashidi
  9. Bekim Sejdiu
  10. Jeton Lleshi
  11. Fahri Petlla
Home Analiza Koço Danaj: Shqipëria natyrale do të bëhet
Banner

Koço Danaj: Shqipëria natyrale do të bëhet

Interviste botuar ne gazeten The Albanian, Londer, 1 shkurt 2012 - Ekskluzive

Përfaqësuesi i mendimeve për një emancipim mbarë shqiptar, hartuesi i tezës mbi nevojën e Shqipërisë Natyrale¸ analisti, politikani dhe ideologu i Platformës për Shqipëri Natyrale Dr, Koço Danaj, ekskluzivisht dha për The Albanian një intervistë në të cilën shtjellon gjerësisht, gjithçka përfaqëson kjo Tezë dhe udhërrëfyesit deri në zgjidhje të aspiratës mbarë shqiptare. Zoti Danaj çfarë do të thotë për ju Shqipëri Natyrale, ku është ndryshimi mes Shqipërisë Etnike, Shqipëri e Madhe ?
Sipas Platformës, Shqipëria Natyrale, nuk është gjë tjetër veçse Shqipëria e shpallur më 28 Nëntor 1912, në Kuvendin e Vlorës. Pra kërkesa për Shqipëri Natyrale, është në thelb kërkesa për zbatimin e një Akti Juridik i cili u injorua nga mbledhja e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913.
Ky injorim u bë në mënyrë më shumë se kolonialiste, u bë në mënyrë barbare. Jo vetëm që kjo mbledhje që u mblodh në 16 dhjetor 1912, pra 18 ditë më pas shpalljes së pavarësisë, nuk e mori parasysh këtë akt juridik, por i trajtoi trojet shqiptare si plaçkë tregu. Vetë kryetari i mbledhjes ish- ministri i Jashtëm britanik Edwards Grey e pranon një gjë të tillë në librin e tij “Memoires”, Kujtime, të botuar në vitin 1927, një kopje të së cilës e zotëron edhe “Lista për Shqipëri Natyrale”. Ja se çfarë thotë Grey në Kujtimet e tij:…. lufta në Ballkan nuk e rrezikoi paqen evropiane nga rihapja e çështjes së Kostandinopojës apo të ngushticave (Detroits), sepse as Austria dhe as Rusia, dy fuqitë më ngushtësisht të interesuara, nuk kishin ndër mend të ishin aktive për të influencuar kushtet që Greqia, Bullgaria dhe Serbia mund t’i vendosnin Turqisë duke prekur Maqedoninë. Çështja e rrezikut dhe e përplasjes ishte Shqipëria, ku dominimi turk u thye pas luftës.
Aleatët ballkanikë ishin të verbuar nga fitorja; Serbia donte, të kishte dalje në Adriatik, dhe kishte shumë mundësi që ajo dhe Mali i Zi të dëshironin të merrnin disa rajone të Shqipërisë duke i konsideruar pjesë të plaçkës së luftës. (Grey, Memoires, botime Payot, 1927 faqe 246). Plaçkë lufte-ja si i ka konsideruar Grey trojet shqiptare. Është më shumë se cinizëm, është gjenocid shumë herë më I madh se gjenocidi turk kundër Armenisë. Ndërsa nocioni Shqipëri e Madhe lindi pas marrëveshjes Ciano Ribentrop në qershor 1941 pasi Gjermania kishte pushtuar Jugosllavinë. Aso kohe, kufiri u vendos tek Ura e Ibrit, nga Kosova u shkëput, Kaçaniku, Presheva, Bujanoci, Vitia, Kumanova etj që ju bashkuan Bullgarisë së Madhe të Car Borisit. Pjesa tjetër u nda në 4 prefektura dhe u bashkua me Shqipërinë. Pra prapë copëtim.
E keni trajtuar herë pas here në media të shkruara dhe televizive iniciativën tuaj të Shqipërisë Natyrale. Përveç mbështetjes nga opinioni i i gjerë shqiptar, a keni përkrahje edhe nga rrafshi intelektual, akademik apo dhe ai politik?
I pari është opinioni i gjerë shqiptar, ai është masiv në favor të Shqipërisë Natyrale, 82 përqind në Kosovë, 64 përqind në Shqipëri dhe 89 përqind në Maqedoni. Në mesin e kësaj përqindje janë me qindra intelektualë patriotë. Ndërsa sa për politikanët, një pjesë prej tyre janë kundër sepse e kanë më të lehtë të konkurojnë në Vilajetet e tyre se sa në mbarë hapësirën shqiptare, një pjesë e pranojnë domosdoshmërinë e bashkimit, por kanë akoma frikë të flasin hapur. Nga kontaktet e mija me deputetë në Tiranë, Prishtinë, Shkup etj mund t’ju them se deri më tani 62 prej tyre e pranojnë domosdoshmërinë e bashkimit të kombit shqiptar.
Duke e përmbledhur pyetjen tuaj do të thosha se në mënyrë figurative ka dy hapësira në mbarë kombin shqiptar. E para është hapësira që i fton shqiptarët të bashkohen në Bruksel. Dhe e dyta është hapësira që i fton shqiptarët të shkojnë të bashkuar në Bruksel. Hapësira e dytë është shumë më e madhe. Ku kemi mbërritur? Platforma e Shqipërisë Natyrale është përqafuar tashmë nga qindra mijëra shqiptarë në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë. Sot në mbarë hapësirën shqiptare dhe në Diasporë janë 125 mijë anëtarë, mbështetës dhe simpatizantë të Listës Për Shqipëri Natyrale. Bile është pranuar si nocion politik edhe nga fqinjët tanë, serb, grek, maqedonas apo malazez. Po ju jap vetëm një shifër,qysh nga shpallja zyrtare e Listës së Shqipërisë natyrale në datën 30 tetor 2010 e deri më sot, në median e shkruar dhe atë elektronike të fqinjëve tanë janë botuar mbi 800 analiza, deklarata, shkrime,njoftime. E përbashkëta e tyre është se të gjithë përdorin nocionin Shqipëri Natyrale. Mjafton të kërkoni në google.com emrin Prirodna Albanija dhe do ta verifikoni vetë çfarë thashë më lart. Tashmë ka kohë që ka filluar faza e organizimit të saj në mbarë trojet shqiptare dhe në diasporë. Ka disa ditë që kemi filluar botimin e gazetës elektronike www.shqiperianatyrale.com, ndërsa në muajin Mars 2012 do të filloj botimi i gazetës së përditshme Shqipëria Natyrale. Po në muajin Janar, ministrat e jashtëm të Italisë, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Austrisë dhe SHBA-së do të kenë në dorë kërkesën e Listës Për Shqipëri Natyrale për anulimin e Konferencës së Londrës me fakte dhe argumente të panjohura deri më sot. Më duhet të sqaroj se Lista për Shqipëri Natyrale është misionare, ajo nuk synon pushtetin politik, por shtetin-komb, prandaj ne kemi anëtarë të Listës politikanë, deputetë të cilët sot bëjnë pjesë në parti të ndryshme politike, intelektualë të cilët simpatizojnë këtë apo atë parti politike. Prandaj quhemi Listë. Ne nuk na intereson kush është i pari. Për ne e para është domosdoshmëria e sendërtimit të Shqipërisë Natyrale. Ne jemi të gjithë të nevojshëm, por nuk jemi të domosdoshëm, e domosdoshme është vetëm Shqipëria Natyrale, pa të cilën nuk do të ketë as progres, as mirëqenie për shqiptarët, por as paqe dhe stabilitet për fqinjët dhe Brukselin. Kyçi i paqes dhe stabilitetit rajonal është vetëm Shqipëria Natyrale.
Ndërkohë po punoni në platformën e Listës për Shqipëri Natyrale, a mendoni se referendumi do të detyroj politikën e Madhe, kam parasysh atë Amerikane dhe Evropiane, që të përkrahet “Shqipëria Natyrale” ose më saktë legjitimi i një referendumi të mundshëm, për një synim të tillë?
Jam i sigurte që po, pasi Platforma e Shqipërisë Natyrale është ofertë për paqe dhe stabilitet në rajon. Paqen e duan të gjithë, luftën e duan trafikantët e armëve. Dhe sa kohë që është kështu, çdo gjë do të jetë e ligjshme, edhe referendumi. Po ju marr një shembull, ku bashkësia ndërkombëtare po bindet për herë e më tepër se ka nevojë për zgjidhje reale. Dhe kjo ka të bëjë me Maqedoninë. Çfarë ndodh: Bashkëjetesa e shqiptarëve në Maqedoni ka qenë paqësore vetëm atëherë kur shqiptarët kanë pranuar të jenë qytetarë të dorës së dytë. Ndërsa kur shqiptarët kanë kërkuar të jenë të barabartë, bashkëjetesa ka qenë e trazuar deri edhe me kryengritje siç ndodhi në vitin 2001. Maqedonia do të ketë të ardhme vetëm kur shqiptarët të bashkohen me Shqipërinë Natyrale. Deri atëherë, Maqedonia do jetë një shtet, pa të ardhme, pa perspektiv. Edhe sot që po flasim, shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë qytetarë të dorës së dytë. Po ju sjell disa shembuj: Sot shqiptarët në Maqedoni nuk kanë ligj të përdorin Flamurin Kombëtar, ai u anulua në vitin 2007. Sot shqiptarët në Maqedoni, nuk kanë të drejtën e një feste shtetërore. Maqedonia si shtet ka 6 festa shtetërore, por asnjë nuk përkon me histori shqiptare, në të kundërtën, ata janë të barazuar lidhur me festat me serbët me turqit etj që jetojnë në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit, ishte një marrëveshje që shpëtoi Maqedoninë nga shpërbërja. Por shikoni se çfarë ndodh, caktohet një zëvendës kryeministër për zbatimin e saj dhe ai gjithmonë është shqiptar. Nënteksti është i qartë: Po ju japim një lëmoshë, po i ndërrojmë kursin Marrëveshjes, po e trajtojmë atë thjesht si një lëshim ndaj shqiptarëve. Ndërsa lidhur me të ardhmen e Maqedonisë, le të analizojmë vetëm të ashtuquajturin problem të emrit të saj. Ka mbi një dekadë që emri i saj nuk pranohet nga Greqia. Por Greqia është anëtare e BE-së. Atëherë edhe BE është dakord me Greqinë lidhur me mosmarrëveshjet mbi emrin. Cili është konkluzioni që del? Problemi i emrit është thjesht një pretekst, është një mbulese. Thelbi i problemit është se bashkësia ndërkombëtare akoma nuk di se çfarë të bëjë me këtë shtet. Pse e them këtë? Sepse po të ishte thjesht problemi i emrit, me gjendjen e rëndë ekonomike që ka Greqia, BE e kishte fare të lehtë t’i thoshte qeverisë greke: Ose zgjidh problemin e emrit ose nuk ke ndihma për të dalë nga kriza. Por BE nuk ia thotë, domethënë se akoma nuk ka vendosur, se akoma nuk di se çfarë të bëjë. Nga ana tjetër BE e di se shqiptarët në Maqedoni pas Konfederatës Shqipëri-Kosovë do kërkojnë dhe do të arrijnë shkëputjen dhe bashkimin me Shqipërinë. Nga ana tjetër është nacionalizmi maqedonas i cili sa më keq i ka punët, aq më agresiv bëhet. Shkoni të shikoni realizimin e Projektit Shkupi 14. Do gjeni monumentin e Goce Delcevit i cili ishte nga fshati Kokushi afër Selanikut me nënë turke të quajtur Sulltane dhe baba të krishterë të quajtur Nikollë, do gjeni monumentin e Jane Sandanskit ose sic quhej Cari i Pirinit, i cili është nga Maqedonia e Pirinit në Bullgari, ku sot ka edhe një qytet turistik me emrin e tij, Sandansk. Pra një shtet, i krijuar fillimisht si Republikë socialiste jugosllave e Maqedonisë, i bërë shtet në 1991, sot kërkon të përvetësoj historinë dhe kulturën e fqinjëve sepse është pa histori dhe pa kulturë. Është ndoshta shteti me të
ardhmen më të zymtë në rajon. Sot për sot këtë zymtësi e mbulon deficenca intelektuale dhe politike e politikanëve shqiptarë. Nesër, do të jetë ndryshe, do të dalë lakuriq para BE-së dhe gjithë bashkësisë ndërkombëtare. Nesër edhe kjo krijesë artificiale do të bjerë.

Ke vendosur të dërgosh ne GJND(Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë) dhe ministrave të jashtëm evropian që organizuan Konferencën e Londrës, anulimin e këtij vendimi, deri ku kanë shkuar procedurat?
Po është e saktë, me një korrigjim të vogël, kemi vendosur. Pse? Jemi në prag të 100 vjetorit të shpalljes së Shqipërisë Natyrale. Jemi të përfshirë në debatin për të rishkruar historinë. Na e kërkojnë këtë, edhe fqinjët, por e kërkojmë edhe vetë ne shqiptarët, historianë dhe politikanë. Por historia para se të rishkruhet duhet të korrigjohet. Pa u korrigjuar, përsëri, ajo do të rishkruhet gabim. Dhe korrigjimi i historisë për shqiptarët fillon në Londër 1912-1913.
Konferenca e Londrës e cila copëtoi në 5 pjesë kombin shqiptar ishte më shumë se një Konferencë kolonialiste, ajo ishte një konferencë kriminale. Por kjo nuk mjafton, historia duhet korrigjuar, Londra duhet korrigjuar. Korrigjim do të thotë, të pranosh Aktin Juridik të Kuvendit të Vlorës që shpalli pavarësinë e Shqipërisë Natyrale me territore që nga Presheva deri në Prevezë, që nga Durrësi deri në Shkup.
Pas aktit kriminal të copëtimit të trojeve shqiptare , me ndjenjën e krimit të kryer, ish ministri i jashtëm britanik Sir Eduard Grey, deklaroi në Dhomën e Komuneve se: Unë e di që vendimi ynë do shkaktojë kritika të forta nga ata që e njohin realitetin e Ballkanit, por (dhe Grey lau duart si Pilati), këtë e bëmë në emër të paqes. Në prag të 100 vjetorit, po i përgjigjem edhe unë, por jo me fjalët e mija të thëna, një shekull më pas, por me fjalët e Mehmet Konicës, Rashih Dinos dhe Filip Nogës, të vërtetuara një shekull më pas. Ja se çfarë i kanë deklaruar ata në Memorandumin e tyre, Mbledhjes kriminale të Londrës në Janar 1913: ….paqja dhe qetësia e gadishullit do të sigurohen vetëm në qoftë se do t’i jepet Shqipërisë së ardhshme një konfiguracion homogjen . Duke u nisur nga kjo, populli shqiptar kërkon për vendin e vet kufijtë që janë për të të natyrshëm dhe që imponohen si nga kushtet etnike ashtu edhe nga e drejta e tij si banor i parë….(Memorandum i qeverisë së Vlorës, datë 2 janar 1913, nënshkruar nga Mehmet Konica, Filip Noga, Rashih Dino) Londra e 1913-ës, e injoroi këtë, paralajmërim, i copëtoi shqiptarët, dhe përgjatë një shekulli, Ballkani mbeti një fuçi baruti. Lind pyetja? Po pse, – Mbledhja e Londrës, ishte, jo thjesht një takim Kolonial, por një mbledhje kriminale?
E para: Mbledhja e Londrës e konsideruar si e gjashtë fuqive të mëdha qysh në fillim mori një kryevendi: Të mos mbante asnjë proces verbal për ato që do të diskutonte. Këtë e pranon edhe profesori i të drejtës ndërkombëtare Arben Puto i cili pohon se: Është për tu theksuar që Konferenca gjatë zhvillimit të punimeve të saj nuk mbajti proces verbale, çka do të thotë se nuk kanë mbetur raporte të rregullta zyrtare mbi punimet e Konferencës. (Arben Puto, Shqipëria Politike, faqe 55).Pra në thelb kemi ngjashmëri me veprimet e kriminelit i cili pasi bën krimin, përpiqet të fshehë gjurmët e tij. Ja edhe pohimi autentik I kryetarit të kësaj mbledhje, Grey. Lexojeni dhe gjykoni vete, a mund te quhet konference çfarë thuhet më poshtë, dhe a është zyrtare ajo?:
…….Ne ishim gjashtë: Lichnowsky, Mensdorff dhe Imperiali, respektivisht ambasadorët e Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë; Cambon dhe Benckendorff, ambasadorët e Francës dhe të Rusisë, dhe unë për Britaninë e Madhe. Më takoi përgjegjësia e drejtimit, por ne vendosëm t’i thjeshtojmë procedurat dhe të bënim një komitet miqsh, ashtu siç edhe ishim. Në mblidheshim pasditeve, zakonisht rreth orës 4 dhe diskutonim deri rreth orës 6 ose shtatë me një pushim të vogël çaji. Konferenca vazhdoi deri më gusht 1913, por ne mblidheshim vetëm kur e kërkonin rrethanat dhe raportet e miqësisë që ne kishim nuk i penguan debatet të vazhdonin të papërcaktuar në mënyrën më të bezdisshme. …….(Grey, Memoires, Payot, Paris 1927)
E dyta-Mbledhja e ambasadorëve të 6 fuqive të mëdha në Londër nuk u thirr për të diskutuar lidhur me kombin shqiptar, por për të zgjidhur mosmarrëveshjet midis katër fuqive ndërluftuese ballkanike, Serbisë, Greqisë, Malit të Zi , Serbisë dhe Turqisë, pas Luftës së dytë ballkanike. Një nga
pjesëmarrësit e kësaj mbledhje, ambasadori francez Pol Kambon e pohon një gjë të tillë. Ai shprehet se: Pas nënshkrimit të paqes midis Turqisë dhe Italisë, marrja e vendimeve që do t‘u imponoheshin shteteve ballkanike dhe Turqisë iu besua trupit diplomatik në Londër. Ai kishte për detyrë hartimin e
marrëveshjeve midis shteteve të ndryshme ndërluftuese të Ballkanit. Mbledhja e Londrës u hap në 16 Dhjetor 1912. (Pol Kambon, Corespondenca, faqe 31, botimet Grasset, viti 1946) Ndërkaq, kishte 18 ditë që Kuvendi i Vlorës kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë Natyrale, kishte krijuar qeverinë dhe Asamblenë e saj. Kishte njoftuar për këtë Akt Juridik qeveritë e gjashtë fuqive të mëdha.
E treta: Në këto takime që zgjaten 6 muaj, territoret shqiptare u përdoren për të qetësuar dhe kënaqur palët ndërluftuese që ishin fqinjët e Shqipërisë. Për të qetësuar Greqinë, krahina shqiptare e Çamërisë iu aneksua në mënyrë kolonialiste Greqisë. Për të kënaqur Serbinë, krahina shqiptare e Kosovës me mbi 90 përqind popullsi shqiptare ju dha Serbisë. Ndërsa trojet shqiptare nga Plava deri në Ulqin iu dhanë Malit të Zi
. E katërta: Pol Kambon, ish pjesëmarrës në mbledhjen e Londrës, pohon në shënimet e tij se problemi i kufijve shqiptarë ishte më i rëndi, por ai nuk u zgjidh. Ja pohimi i tij: ….Ballkanikët tanë ikën, por mbetën pa u zgjidhur problemet më të rënda, kufijtë e Shqipërisë dhe ishujt e Detit Egje….. (Pol Kambon, Corespondence, faqe 51, botimet Grasset viti 1946)
E pesta: Arbitri ndërkombëtar deri tani ka anuluar vendimet e dy konferencave zyrtare siç kanë qenë ajo e Versajës dhe e Jaltës. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe bashkimi i Gjermanisë janë vetëm dy shembuj. Ju e dini fare mirë se Mal I Zi ka qenë shtet i pavarur deri në konferencën e Versajës. Por kur u krijua mbretëria serbo- kroato- sllovene, pushoi se qeni edhe pavarësia e tij. Aso kohe në Mal të Zi u zhvillua një luftë e ashpër që në histori ka mbetur lufta e jeshileve me të bardhët. Por Versaja, pas viteve 90 pushoi së qëni, të gjitha vendimet e saj u riparuan, dhe në vend të Jugosllavisë lindën disa shtete. Ndërsa një nga vendimet kryesore të Jaltës ishte ndarja e Gjermanisë në katër zona ushtarake, që më vonë solli dy shtete, Lindore dhe Perëndimore. Pas 40 vjetësh, Gjermania u bashkua në rrugë paqësore, pra u riparua vetë Konferenca e Jaltës.
Dhe të mos harrojmë se u bashkua në një kohë kur në Gjermaninë Lindore ndodheshin 155 mijë trupa sovjetike elitare. Por që nuk lëvizën nga kazermat, nuk pati as vendim për të hyrë në NATO, as vendim për ta hequr nga Lista e OKB-së, Atëherë, ka mbetur edhe një, Londra e cila nuk ishte zyrtare, por ilegale dhe kriminale. Na takon ne shqiptarëve të shtrojmë para arbitrit ndërkombëtar fakte, dokumente, prova që të vërtetojnë karakterin Kriminal të Londrës. Të tjerat janë detyra të bashkësisë ndërkombëtare. Këtë po bën aktualisht Lista Për Shqipëri Natyrale. Dhe është në përfundim të punës.
Ndërsa lidhur me rrugën, që do ndjekim, me sugjerimet e disa miqve tanë, do të bëjmë një ndryshim të vogël. Brenda datës 31 dhjetor, do t’u dërgojmë, një material që është në thelb një kërkesë, për anulimin e Londrës dhe njohjen e Aktit Juridik, të Kuvendit të Vlorës të 28 Nëntorit 1912. Kujt? Ministrave të jashtëm të 6 fuqive të mëdha që përgatitën Londrën 13, pra të Francës, Britanisë, Gjermanisë, Austrisë, Rusisë dhe Italisë. Për dijeni, një kopje do t’ia dërgojmë zonjës Klinton, pasi SHBA nuk ishte aso kohe në Londër.
Përsëri për dijeni, nga një kopje do u dërgohet ministrave të jashtëm të Bullgarisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, aleanca e të cilëve u paqëtua duke i dhënë si dhuratë nga Londra rreth 50 mijë kilometra katrore troje shqiptare. Këtë e pohon edhe vetë Grey në kujtime kur thotë se: Grey shprehet ne kujtime se: Nuk mund te prishnim konferencën për disa fshatra shqiptare si Gjakova… (Grey, Memoires, Payot, 1927, Paris, faqe 248) Dhe e fundit. Politika dhe opinion public shqiptar I ka dëgjuar dy politikanët më të mëdhenj të Evropës, Merkel e Sarkozy. Ata kanë pohuar, se është koha të ribëjmë Bashkimin Evropian. Në shërbim të tyre, unë kam te drejtë të pohoj se është koha të ribëjmë Shqipërinë.
Duke vlerësuar bindshëm akademizmin tuaj profesional dhe intelektual, a konsultoheni për misionin tuaj ?
Absolutisht po, të konsultohesh do të thotë të jesh serioz në atë që kërkon të arrish. Unë konsultohem çdo ditë me anëtarët, mbështetësit dhe simpatizantët e Listës Për Shqipëri Natyrale. Dhe kur them konsultohem, mund t’ju jap dhjetëra shembuj, ku unë kam reflektuar nga mendimet dhe sugjerimet që më kanë dhënë ata, veçanërisht nëpërmjet facebook-ut, që sot është partia e të varfërve.
Konsultohem me veprat madhore të rilindësve, të Qosjes, të Stavilecit, të Kadaresë etj etj. Mua nuk më intereson kush është i pari. Dhe e dini pse? Sepse e para është Shqipëria Natyrale. Duke pranuar këtë edhe në praktikë, unë e di fare mirë se shqiptarët asnjëherë nuk janë zënë për vendin e dytë apo të tretë. Ne të gjithë jemi të nevojshëm, por Shqipëria Natyrale është e domosdoshme, pasi është mirëqenie, është progres, është stabilitet rajonal, është evropeizëm.
Jeni autor i librit “Platforma e Shqipërisë Natyrale” të cilin e keni botuar në 5 gjuhë (shqip,serbisht greqisht, maqedonisht dhe Anglisht) a mendoni se është kuptuar qartë, respektivisht, realizimi i idesë suaj të Shqipërisë Natyrale? Reagimet mbas botimit?
Është kuptuar aq qartë sa tani është në proces botimi, botimi i dytë, por në 9 gjuhë. Dhe 3 mijë kopjet e botimit të parë ikën për më pak se dy vjet.
Pse politika shqiptare, në përgjithësi si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, është e pazëshme mbi çështjen në fjalë?
Janë disa arsye: E para: Nuk është e aftë. Dhe mos prit nga paaftësia të hedhë ide për të ardhmen e kombit. Paaftësia prêt porosi nga Metropoli që në rastin konkret është Brukseli. Por paaftësia duket edhe në një problem tjetër.
A mendoni se Vetëvendosja do të jetë akti final i realizimit të Shqipërisë Natyrale, dhe nëse vini si opsion referendumin a do të mund të legjitimohet verdikti popullor?
Më shumë se 100 përqind, viti 2012 është fillimi i realizmit te saj, viti 2013 do të jetë viti i bashkimit me Kosovën, dhe viti 2015, që përkon më 100 vjetorin e Traktatit famëkeq të Londrës që copëtoi tërësisht trojet shqiptare, do të jetë kurorëzimi I Shqipërisë Natyrale.
Ku ndryshon projekti juaj me lëvizjet e tjera si bie fjala, Aleanca Kuq e Zi, Lëvizja Vetëvendosja etj?
Në taktika, ne jemi më të hapur, thjesht kërkojmë respektimin e Aktit Juridik të Kuvendit të Vlorës të 28 Nëntorit 1912. Por ndryshimet në taktika nuk kanë rëndësi, rëndësi ka që të Gjithë Lumenjtë e bashkimit të derdhen në Detin e Shqipërisë Natyrale.
Çfarë i pengon shqiptarët të jenë të bashkuar ; pse (s)’duhet të jenë të tillë(të bashkuar)?
I pengojnë politikanët e tyre, askush tjetër. Për shembull çfarë na thonë këta politikanë dhe analistët e tyre, pra analistët e partive? Na thonë se kombi shqiptar nuk ka nevojë të bashkohet por duhet të ndjekë shembullin e Gjermanisë, Zvicrës dhe Austrisë. Është një tezë kundërhistorike dhe kundërshqiptare. Eshtë kundër historike sepse kur në vitin 1291, përfaqësuesit e kantoneve të Urit, Shwycit dhe Untervaldenit vendosën themelimin e Konfederatës Helvetike, në Gjermani jetonin akoma fise gjermane, por jo shtet.
Kur Austria në vitin 1815, pas disfatës së Napoleonit u bë kryeqendra e Koncertit të Vjenës duke u dhënë tonin për gati një shekull marrëdhënieve ndërkombëtare, Gjermania akoma nuk ishte e bashkuar. Ndërsa në 28 nëntor 1912, ata politikanë shqiptarë që u mblodhën në Vlorë, ishin jo vetëm nga gjithë hapësira e kombit shqiptar, por edhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë natyrale, që shtrihej në 4 vilajetet e atëhershme otomane.
Por modeli që na serviret është edhe kundërshqiptar. Konferenca e Londrës e vitit 193, i copëtoi shqiptarët në 5 pjesë, mbi bazën e logjikës koloniale, duke shpërblyer me territore shqiptare shtetet fqinjë që u konsideruan fitimtarë të Luftës ballkanike apo që kishin mbështetjen e kësaj apo asaj fuqie të madhe. Këtij pseudo argumenti ne do ti vëmë përballë një argument real dhe të freskët.
Dhe ky është shembulli gjerman. Gjermania në vitin 1945 u nda në katër pjesë dhe me vonë në dy pjesë për të kënaqur fitimtaret e Luftës së dytë botërore. Pas 45 vjetësh, kjo padrejtësi koloniale mori fund dhe Gjermania u bashkua. Ky është shembulli që vlen edhe për kombin shqiptar. Përndryshe, kemi të drejtë të pohojmë se përballë kombeve dhe çështjeve të tyre kombëtare, bashkësia ndërkombëtare aplikon dy standarde. Segmente të ndryshme të BE shprehen se në rastin e Gjermanisë kjo ndodhi pasi Gjermania Perëndimore e kishte sanksionuar në Kushtetutë bashkimin kombëtar.
Po edhe ne, e kemi të sanksionuar ne Kushtetutë bashkimin kombëtar, bile në Preambulën e saj. Dhe këtë Kushtetutë pasi e miratuan shqiptarët e konsideruan të drejtë edhe juristët e nderuar të Komisionit të Venecias, edhe ekspertët e NATO. Por kundërshtarët tanë na thonë akoma më shumë. Na thonë se tani që po shuhen kufijtë, nuk ka nevojë të bashkohen shqiptarët. Po pastaj, ky nuk është argument, është thjesht një konstatim. Pse? Shuarja e kufijve, nuk e ezauron bashkimin e shqiptarëve, përkundër e shtron si imperativ të dorës së parë. Sa më shumë shtohet qarkullimi I lirë I njerëzve, aq më shumë lind nevoja e forcimit të shteteve në territoret e të cilave ndodh ky qarkullim.
Dhe kjo për të garantuar cilësinë e këtij qarkullimi të lirë dhe për të parandaluar kaosin dhe rrëmujën. Sa me shumë shtohet qarkullimi i lirë i ideve nga një vend në tjetrin, aq më shumë forcohen identitetet kombëtare, të vendeve të ndryshme. Dhe kjo për arsyen e thjeshtë se qarkullimi i lirë i ideve nuk do të thotë shuarje e identiteteve nacionale, por përkundrazi forcim I tyre. Sa më shumë shtohet qarkullimi i lirë i mallrave, aq më shumë po bëhen përpjekje për forcimin dhe përkrahjen e asaj që quhet sipërmarrje kombëtare.
Globalizëm nuk do të thotë kaos, por rregull, diversitet identitetesh nacionale, që japin e marrin me njëri- tjetrin, pa u tjetërsuar njeri tek tjetri. Njerëzit lëvizin të Lirë në gjithë Evropën, por trojet mbeten aty ku janë, shtetet aty ku janë, kombet aty ku janë. Nuk ka shuarje kombesh, por emancipim dhe civilizim te tyre.
Dhe elementi i pare i civilizimit te një kombi është e drejta e tij për tu bashkuar. Dhe e fundit, disa politikanë dhe politologë fqinjë na thonë se trojet nuk bashkohen pa luftë. E kanë gabim ose vazhdojnë të gjykojnë me mentalitetin e Luftës së Ftoftë. Pse ?Sot kur të gjitha regjimet në rajon janë demokratike, atëherë edhe Shqipëria Natyrale do realizohet në rrugë demokratike, pa luftë.
Ka dhe zëra intelektualesh shqiptar (rasti i Lisien Bashkurtit) që jo vetëm janë kundër idesë tuaj por që e kanë quajtur këtë ide si Hitleriane, cili është mendimi juaj?
Po tani kemi pluralizëm dhe secili flet hapur. Unë jam partizan I të folurit hapur për këtë temë kaq të madhe. Këta që kundërshtojnë hapur nuk janë të rrezikshëm, problem janë ata që vishen me Flamur një herë në Vit dhe 364 ditët e tjera ngjajnë Odiseut te lashtësisë.
Keni pasur kërcënime apo dhe reagime ndaj jush personalisht dhe projektit tuaj?
Mua nuk guxon njeri të më kërcënojë. As Platformën e Shqipërisë Natyrale nuk ka perëndi ta kërcënojë, jo më individë, apo parti politike. Por natyrisht që ka reagime kundër saj. Për shembull, politikanët, gazetat dhe TV e Beogradit, Podgoricës, Shkupit apo Athinës për dy vjet kanë botuar 825 deklarata, analiza, shkrime ku shprehin mospajtimin e tyre me Platformën. Por askush prej tyre nuk ka kërcënuar. Ata të gjithë kanë shprehur në thelb në dilemë: Si mund të realizohet me paqe bashkimi i territoreve shqiptare.
Kjo dilemë tregon se ata janë akoma si mentalitet në kohën e luftës së ftohtë, kur çdo gjë zgjidhej me luftë. Por do ta kapërcejnë edhe këtë dilemë. Ndërsa lidhur me politikën shqiptare mund të them se ata kanë gjetur më të udhës rrugën e bllokimit, të injorimit, domethënë, që media dhe TV proqeveritare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, nuk lejohet të flasin asnjë fjalë për Shqipërinë Natyrale. Por edhe kjo tashmë po kapërcehet.
Fryma nuk ndalet dot as me urdhra qeveritare as me bllokada mesjetare. Tashmë Shqipëria natyrale është një realitet që ka filluar të duket në horizont. Prandaj janë shtuar pseudo argumentet e analistëve kozmopolitë proqeveritarë dhe proopozitarë. Dhe mediat kryesore u lënë hapësirë të madhe atyre, prandaj janë shtuar slogane pseudopatriotike të disa politikanëve, prandaj janë thirrur në ndihmë lloj- lloj njerëzish që ngrysen shqiptarë dhe gdhihen grekë, serbë, maqedonas etj.
A mendoni se viti 2012 do te sjelle diçka konkrete për shqiptaret?
Do të fillojë sendërtimi i Shqipërisë Natyrale, pra në mënyrë figurative do të fillojnë përgatitjet për Dasmën e Madhe.
Një mesazh për lexuesit e Gazetës The Albanian ?
Një mesazh shumë të thjeshtë: Të integrohen sa më shumë aty ku banojnë, por të mbeten në thelbin e tyre shqiptarë evropeistë. Dhe evropeizëm për shqiptarët do të thotë Shqipëri Natyrale.
Intervistoi
Bashkim Metalia

ALN
Site Meter
Follow Us
Find us on Facebook