Lëvizja Vetëvendosje e ka përmbyllur fushatën parazgjedhore në komunën e Ferizajt, ku zyrtarë të saj u kanë premtuar qytetarëve se do të përkushtohen që problemet, të cilat e kanë ngulfatur këtë qytet t’i zgjidhin, duke qenë sa më afër qytetarëve, duke e zhdukur krimin, korrupsionin e prostitucionin dhe duke ua kthyer mirëqenien qytetarëve të Ferizajt.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke folur para elektoratit ai e ka mbështetur kandidatin e kësaj lëvizjeje, me të cilin ai ka thënë se nuk do të fitojë vetëm Ferizaj, por do të fitojë edhe Kosova. Ai ka kërkuar nga elektorati që të tregohet kësaj radhe dhe votën ta vendosin tek numri 23, për kandidatin Faton Topalli.“Gjatë kësaj fushate, Faton Topalli është treguar për Ferizajn, ditën e zgjedhjeve Ferizaj duhet të tregohet te Faton Topalli. Fatoni është politikani më aktiv, më i mençur dhe më i hapur në komunën e Ferizajt. Kur fiton Fatoni, fiton Ferizaj... kur fiton Ferizaj, fiton Kosova... kur fiton Kosova fiton Shqiptaria, e kur fiton shqiptaria nuk përfiton asnjë matrapaz që ka hyrë në politikë dhe asnjë politikan që është bërë matrapaz”, tha Kurti.Ai shtoi se me Vetëvendosjen dhe Faton Topallin do ta ndalin korrupsionin, dhe kurrë më nuk do të ketë politikanë që do të jenë njerëzit më të pasur në vendin tonë. Ai ka thënë se Vetëvendosje ka qenë opozita më e mirë dhe më aktive, e cila vazhdimisht ka kërkuar ndryshime.
