Banner
Banner

Video

Lista e mbeshtetesve

Te nderuar miq,

Ju faleminderit per kontributin tuaj! Ne kete hapesire do te publikojme listen e mbeshtetesve qe kane ndihmuar financiarisht gazeten.

Mbeshtetesit e deritanishem:

  1. Agim Saracini
  2. Alfred Perlala
  3. Erida Cela
  4. Gjoke Gojcaj
  5. Fatos Nushi
  6. Albulena Rrafshi
  7. Enver Spahiu
  8. Fitim Rashidi
  9. Bekim Sejdiu
  10. Jeton Lleshi
  11. Fahri Petlla
Home Lajme Putinizimi i Serbisë
Banner

Putinizimi i Serbisë

Si vendi më i madh ortodoks dhe sllav në Evropën Qendrore, akoma jo anëtare e Bashkimit Evropian, Serbia është një objektiv i lehtë për soft pokerin e Rusisë. Kremlini po llogarit tani “putinizimin” e këtij shteti ballkano-perëndimor për t’ju treguar qytetarëve rusë së politika e tij ndaj Perëndimit ka mbështetje të fortë në disa pjesë të Evropës

Në fund të korrikut 2014, kryeministri serb Aleksandër Vuçiq informoi shoqërinë dhe anëtarët e parlamentit serb se vendi ndodhej në një situatë realisht të vështirë. Ai theksoi se i takon Parlamentit që të vendos nëse do të ndjekë ose jo Bashkimin Evropian dhe të vendos sanksione të reja ndaj Rusisë. Vuçiç përmendi me këtë rast se Serbia nuk mund t’i mbijetonte një raundi tjetër rritjeje të çmimit të gazit dhe, pavarësisht se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është objektiv i politikës së jashtme të Serbisë, ajo duhet që të ndjekë para së gjithash interesin kombëtar të saj.

 

Cilave interesave po ju referohej? Nuk e dimë me siguri. Megjithatë, ajo çka dimë të sigurt është se demokratizimi nuk është përmendur kurrë si një prej tyre. Pse duhet rritja e çmimit të gazit në Serbi të shikohet si një rezultat i mbështetjes së saj për sanksionet e Bashkimit Evropian? Serbia e paguan tashmë Gazpromin më shumë se çdo vend tjetër Evropian, si Gjermania, Franca, Holanda, Finlanda, Italia dhe Danimarka. Atëherë pse elita politike serbe është aq e preokupuar rreth një shantazhi të mundshëm energjetik rus?

Mbështetja në rritje për Rusinë midis shoqërisë serbe është rezultat i dy proceseve. Njëri prej tyre është adaptimi i historisë së marrëdhënieve ruso-serbe dhe sesi lidhet kjo me objektivat e elitës politike. Narrative zyrtare historike në mënyrë të vetëdijshme anashkalon periudhat shumë të rëndësishme në historinë serbe, si puna e periudhës midis luftërave, pothuajse të gjithë e periudhës së Jugosllavisë nga ndarja Tito-Stalin deri në eskalimin e krizës në Kosovë e bombardimit të NATO-s, dhe periudhën e qeverisë së parë demokratike të Serbisë të kryeministrit të ndjerë Zoran Gjingjic.

Të gjitha këto periudha kanë një gjë të përbashkët: momente marrëdhëniesh të varfra ruso-serbe që nga periudha 2000-2003 nuk mund të ndiqnin dinamikat e marrëdhënieve të Serbisë me Perëndimin. Elita e ka injoruar gjithashtu faktin se gjithnjë e më pak serbë flasin rusisht dhe se kultura ruse është shumë më pak tërheqëse për serbët sesa ajo perëndimore. Njohja e rusishtes thjesht u flak tej nga njohja e anglishtes. Serbët që vendosin ta lënë vendin e tyre në kërkim perspektivash ekonomike më të mira, nuk e zgjedhin Rusinë si destinacion.

Opinioni publik po bëhet gjithnjë e më i ngopur me gjysmë të vërtetat lidhur me tregtinë ruso-serbe dhe rëndësinë e madhe e ndihmës ruse. Një shembull tipik është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me Federatën Ruse në gusht të 2000, e cila është shpalosur më së shumti nga zyrtarët serbe si një gjest ekskluziv i miqësisë ruse ndaj Serbisë. Ndërkohë, të gjitha mallrat e prodhuara në Serbi, kur u nënshkrua marrëveshja, u përjashtuan prej saj.

Nuk ka ndryshuar shumë gjë qysh atëherë. Gjithashtu, arsyet për bombardimin e NATO-s mbi Jugosllavi në 1999 në të vërtetë nuk i janë shpjeguar kurrë publikut serb. Në vend të kësaj, është përsëritur si refren se vendi i vetëm që e ndihmoi Serbinë në ato kohë të vështira qe Federata Ruse. Megjithatë, fakti që Rusia nuk ju kundërvu sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Serbisë (Jugosllavisë) në fillimin e viteve ’90 të shekullit të kaluar, mbetet gjerësisht i panjohur ose qëllimisht i fshirë.

Një valë e madhe narrativash historike të fabrikuara filluan në 2007, kur Perëndimi po përgatitej që të njihte statusin e ri të Kosovës. Me shpejtësi e përmbyti publikun serb dhe është ende një narrativë dominuese. Qëndrimi i vendosur i Rusisë atëherë qe se Kosova është një pjesë përbërëse e territorit serb dhe se çdo shkëputje do të ishte e paligjshme. Politika kosovare e Beogradit bazohej në parimin e mbrojtjes së integritetit territorial dhe sovranitetit të saj, kështu që gradualisht ai i intensifikoi marrëdhëniet e tij me Moskën. Rusia u bë një aleat kyç ndërkombëtar i Serbisë dhe të dyja vendet shpejt filluan që të bashkëpunojnë jo vetëm në skenën ndërkombëtare, por edhe në shumë fusha të tjera. Ky u bë glorifikimi i “miqësisë tradicionale ruso-serbe”, që aktualisht shoqërohet nga rrëfenja e një themeli ekonomik të fuqishëm.

Kjo politikë rezultoi të ishte e suksesshme, teksa një mazhorancë serbësh mbështetet mbi burimet tradicionale të informacionit që janë nën influencën mbizotëruese të elitës politike. Nuk është për t’u habitur se pse marrëveshja shumë jo e favorshme e industrisë së naftë-gazit midis Serbisë dhe Rusisë, e nënshkruar në 2008, nuk hasi në ndonjë reagim nga shoqëria serbe. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, varësia serbe nga Rusia u bë reale dhe fitoi një komponent ekonomik domethënës. Deri më atëherë, natyra e saj qe në pjesën më të madhe mitike.

Rusia perceptohet sot nga shumica e serbëve si aleati më i ngushtë i tyre. Qytetarët serbë kanë një prej opinioneve më të favorshme për Rusinë nga të gjitha shtetet. Ndërsa, më shumë se 50 për qind e serbëve kanë një opinion pozitiv (25 për qind e përshkruajnë atë si “shumë pozitiv”) për Rusinë, 82 për qind e qytetarëve serbë e shikojnë NATO-n në mënyrë negative. Shtetet e Bashkuara kanë një imazh shumë pak më të mirë. Bashkimi Evropian gëzon më shumë kredit, por 43 për qind e serbëve akoma e perceptojnë negativisht. Konkluzionet e sondazheve janë më të trishtuara teksa shumica e madhe e ndihmës për Serbinë vjen nga vendet e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Qeveria aktuale nuk e lansoi këtë narrativë proruse, por e ka ushqyer atë. Është gabim të mendohet se arsyeja kryesore për adhurimin e ndjenjës proruse në shoqëri është ngushtësisht e lidhur me varësinë në rritjen ekonomike dhe energjetike të Serbisë nga Rusia. Në fakt, ajo ka të bëjë me ngurrimin për ta demokratizuar më tej Serbinë.

Procesi i dytë që po i sjell serbët më afër me Rusinë është rritja e kultit të personalitetit dhe homogjenizimi i shoqërisë nëpërmjet shikimit të botës së jashtme nëpërmjet lenteve të teorive konspirative. Aleksandër Vuçiq dhe Vladimir Putin ia detyrojnë autoritetin e padiskutueshëm të tyre institucioneve të dobëta, një gjyqësori dhe medie të varur politikisht, pozicionit të privilegjuar të kishës ortodokse lindore krahasuar me besimet e tjera fetare, një sistemi financiar jo transparent dhe nënshtrimit partizan të Parlamentit, institucioneve të sigurisë kombëtare dhe oligarkëve. Në të dyja vendet, kulti i personalitetit është bërë një komponent i rëndësishëm i sistemit politik të shtetit.

Në nivelin social, shteti promovon një identitet kolektiv, ndërsa individualizmi dhe liritë njerëzore ndeshen me përbuzje të hapur. Serbët i dhanë një mandat të fortë Aleksandër Vuçiqit, për të cilin ndarja e pushteteve nuk do të thotë shumë. Në Serbi, ashtu si në Rusi, lidershipi autokratik pranohet gjerësisht dhe mirëpritet ngrohtësisht nga qytetarët. Për pasojë, “putinizimi” i Serbisë është në zhvillim, pavarësisht progresit formal të saj drejt Bashkimit Evropian që në thelb të tij duhet të nënkuptojë procesin e kundërt.

Është pjesërisht e vërtetë se Serbia nuk ka pasur kurrë një traditë demokratike të fuqishme. Kur Sllobodan Milosheviqi u mund në raundin e parë e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000 dhe u tërhoq, demokracia e re serbe u përball me sfida serioze që ia bënë të vështirë të funksionojë siç duhet dhe të vihej plotësisht në rrugën evropiane. Vetëm për të përmendur disa prej tyre: Serbisë ju desh të bashkëpunojë me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, të përballonte shkëputjen e Malit të Zi dhe të angazhohej në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Qeveria e Zoran Gjingjiqit u përpoq që të implementojë politikat kushtëzuese të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara dhe kjo qasje u ruajt deri në një farë mase edhe pas vrasjes së tij, por me shumë më pak presion.

Qeveria e re nën Vojislav Koshtunicën i vazhdoi politikat e afrimit me Bashkimin Evropian, edhe pse dështoi që praktikisht të plotësojë shumicën e kushteve të tij. Maja e periudhës së sundimit nga presidenti Boris Tadiç dhe Partisë Demokratike të tij, që pasoi Koshtunicën, qe kapja e kriminelëve të njohur të luftës: Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq. Por, gjithçka erdhi me një çmim.

Në të njëjtën kohë, situata e brendshme në Serbi u bë larg së qëni e kënaqshme: niveli i korrupsionit midis elitës sunduese u rrit dhe ritmi u demokratizimit u ngadalësua. Ky stil qeverisjeje karakterizon politikën serbe sot.

Aleksandër Vuçic nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila qe një gurthemeli në politikën e jashtme të Serbisë të shtrënguar nga Perëndimi, por kjo nuk e ndryshoi stilin e lidershipit të Vuçiqit ndaj të cilit Perëndimi akoma i mbyll sytë dhe mund të shikohet si një imazh në pasqyrë i Putinit. Të gjitha zërat kritikë kundër qeverisë aktualisht damkosen si antishtetërore dhe antireformë. Strategjia e qeverisë është konceptuar që ta kufizojë opozitën, shoqërinë civile dhe median e lirë. Shumica e serbëve qëndrojnë indiferentë kur vjen puna për lirinë e tyre. Sondazhet e opinionit publik tregojnë se perceptimi i demokracisë nga ana e tyre në mënyrë predominuese bazohet në pozicionin ekonomik e social të tyre dhe vetëm 30 për qind prej tyre e perceptojnë demokracinë si sistemin qeverisës më të mirë.

Politika e jashtme agresive e Kremlinit ka rezultuar në një konflikt kompleks gjithnjë e në rritje me Perëndimin. Ajo po mbështetet tani në “putinizimin” e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të mbajnë standarde institucionale dhe demokratike të ulëta edhe pse për një herë këto vende më së fundi ju bashkuan Bashkimit Evropian. Pastaj, ato mund të shërbejnë si shembull se bashkimi me BE-në nuk sjell asnjë prej rezultateve të dëshiruara, si demokratizimi, apo një standard jetese më të mirë. Një tjetër arsye se pse Moska do ta mbajë stilin alla Putin të lidershipit në Ballkanin Perëndimor, është që t’u tregojë qytetarëve të vet se politika antagoniste e saj ndaj Perëndimit ka mbështetje të fuqishme në disa pjesë të Evropës.

Si vendi më i madh me shumicë dominuese ortodokse dhe sllave në Evropën Qendrore, që pritet të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian dhe që nuk do të bëhet anëtar i NATO-s, në një situatë ekonomike të vështirë me publikun, e ekspozuar ndaj propagandës së fuqishme, Serbia është një objektiv i lehtë i soft power të Rusisë. Takimet e nivelit të lartë midis zyrtarëve serbë dhe rusë gjatë dy viteve të fundit janë të shpeshta, në mënyrë të pazakontë. Kjo ndodh pavarësisht faktit se gjatë dy viteve të fundit Serbia ka bërë hapa formalë domethënës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

E njëjta logjikë aplikohet ndaj politikës së jashtme ruse prapa përpjekjeve për ta vonuar edhe më shumë integrimin me Perëndimin e shteteve të tjera në rajon, si Bosnje dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Afrimi me Bashkimin Evropian paraqitet nga Kremlini si demokratizimi i detyruar i rajonit dhe largimi nga “vëllazëria tradicionale sllavo- ortodokse”, që nuk është asgjë më shumë përveçse zonë e vetëshpallur e interesit rus.

Aneksimi i Krimesë, lufta në Ukrainën lindore dhe aktivitetet e separatistëve prorusë e zbuluan se si demokratizimi i mëtejshëm mund të jetë i rrezikshëm për vendet që janë në orbitën e influencës ruse. Gjatë muajve të fundit, Rusia ka interferuar më aktivisht në politikat e brendshme serbe. Koordinimi i organizuar apo spontan i interesave serbe dhe ruse, publikisht dhe prapa dyerve të mbyllura (jo domosdoshmërisht në nivel shtetëror, por edhe privat), rezultuan në një lidhje speciale të grupeve dhe individëve të rëndësishëm dhe krijimin e të ashtuquajturës “orkestër të Putinit” në Serbi. Anëtarët e saj ndodhen në të gjitha institucionet strategjike: brenda kabinetit të Vuçiqit dhe të presidentit Tomislav Nikoliq, në biznes, në sektorin e energjisë dhe agjencitë e sigurisë. Gjithashtu, ka anëtarë në OJQ, organizata kulturore, komunitetin akademik, sportiv dhe mediatik. Ka gjithnjë e më shumë dëshmi se disa anëtarë të “orkestrës së Putinit” financohen drejtpërsëdrejti nga Moska

Objektivi kryesor i “orkestrës së Putinit” është që të minojë mbështetjen publike për integrimin evropian dhe të shtyjë afrimin e Serbisë me Perëndimin. Një tjetër aktor i rëndësishëm në panoramën politike serbe, që ka një synim të ngjashëm është Kisha Ortodokse Serbe. Ajo po bëhet gjithnjë e më shumë konfidente me Kishës Ortodokse Ruse, edhe pse më parë ndryshonte nga ekuivalenti rus i saj në fushën e lirive sociale.

Leonid Reshetnikov, shefi i degës ruse të Russian Institute for Strategic Studies, u dekorua kohët e fundit nga kleri ortodoks serb për kontributin e tij ndaj dialogut ruso-serb. Reshetnikov është përhapës i unitetit organik të kishës e shtetit dhe zëdhënës i një versioni të azhurnuar të idesë së Samuel Huntingtonit se “qytetërimi ortodoks” është kundërpesha ndaj Perëndimit. Ai është një prej dirigjentëve më të shquar të kësaj orkestre.

Fatkeqësisht, aktivitetet e orkestrës së Putinit kanë sjellë frute. Në fillimet e gushtit, Zyra e Integrimit Evropian shpalli rezultatet e sondazhit të rregullt të saj lidhur me mbështetjen ndaj integrimit në Bashkimin Evropian. Për herë të parë në vite, kjo mbështetje binte nën 50 për qind. Vetëm 46 për qind do të votonin “po” në një referendum për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, që ishte një rënie prej pesë përqindësh qysh nga dhjetori 2013.

Përpjekjet e intensifikuara për të forcuar lidhjet reciproke midis Serbisë dhe Rusisë, u iniciuan nga Kremlini sapo Këshilli i Bashkimit Evropian shpalli në fundin e 2013 gatishmërinë e Serbisë për të nisur bisedimet e negocimit me Bashkimin Evropian. Në fillim të vitit 2013, Serbia mori nga Rusia një hua prej 800 milionë dollarësh për modernizimin e sistemit hekurudhor të saj. Më vonë, po atë vit, ajo mori një hua shtesë 500 milionëshe për të mbyllur vrimat në buxhet dhe stimuluar rritjen ekonomike. Pika e kthesës qe një vizitë në Serbi nga ana Nikolai Patrushevit, i cili kishte qenë sekretar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë qysh nga vitit 2008. Fatkeqësisht, mediat nuk i kushtuan vëmendje kësaj vizite të rëndësishme. Ajo rezultoi me krijimin e një numri organizatash dhe uebsajtesh në Serbi, objektivi parësor i të cilave ishte që të përhapej propaganda pro Putin në vend. Ato nuk kanë mbështetje të drejtpërdrejtë nga zyrtarë të lartë shtetërorë, por ekzistenca e tyre nuk do të ishte e mundur pa dorën e padukshme të qeverisë. Nyja kryesore e propagandës ruse duket të jetë Universiteti i Beogradit.

Në mes të nëntorit 2013, ministrat e Mbrojtjes, serb dhe rus, nënshkruan një marrëveshje ushtarake të rëndësishme. Gjatë udhëtimit të Sergey Shoygut në Beograd, Vuçiq deklaroi se “Serbia nuk do t’i bashkohet NATO-s, por nuk do t’i bashkohet as bllokut rus”, por qysh atëherë dinamikat e bashkëpunimit ushtarak me Rusinë janë rritur në mënyrë të konsiderueshme. Sektori ushtarak i Serbisë, thellësisht i kompromentuar nga krimet e luftës, trafiku i armëve dhe vrasjet politike, kanë nevojë për reforma të mëdha nëse Serbia ka vullnetin që t’i bashkohet Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit me NATO-n do të ishte mjaft i dobishëm në këtë fushë, por Beogradi mbetet ushtarakisht neutral dhe, për pasojë, nuk ndjek disa prej reformave në sektorin e sigurisë të kërkuara nga anëtarësimi në NATO.

Pozicioni “neutral” serb është prishur nga kontaktet e shumta ushtarake me partnerë të huaj, por gradualish i spostuar në mënyrë predominuese në një nivel bilateral me theksim disproporcional në marrëdhëniet me Rusinë qysh nga kriza ukrainase.

Serbia qe shteti i vetëm Evropian që mori pjesë në shoun ushtarak “Vallja e Tankeve” në Moskë në gusht të vitit 2014. Më herët këtë vit, Serbia bëri manovrat ushtarake më të mëdha të saj me praninë vetëm të oficerëve rusë. Tregtia ushtarake e Serbisë me Rusinë, siç shpallet nga zyrtarë serbë dhe rusë, do të rritet në të ardhmen e afërt, gjë e cila sigurisht që do të ketë një impakt negativ mbi dinamikat e integrimit në Bashkimin Evropian, sidomos për shkak të grupit të ri të sanksioneve sektoriale të vendosura nga Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

Në sektorin e energjisë, pas marrëveshjes së zgjeruar të naftës dhe gazit nga viti 2008, Serbia dhe Rusia nënshkruan kohët e fundit tri marrëveshje lidhur me ndërtimin e linjës South Stream. Një mungesë e dukshme, transparence e këtyre marrëveshjeve, ashtu si edhe një fushatë informacioni e varfër, në mënyrë të veçantë rreth paralajmërimeve që po kanë ardhur nga Komisioni Evropian dhe Sekretariati i Komunitetit Energjetik të Evropës Juglindore i të cilit Serbia është anëtare, ngre alarmin rreth këtij projekti jashtëzakonisht të kushtueshëm. Në rastin që South Stream nuk do të ndërtohet, Serbia do ta gjente veten në një pozicion mjaft të vështirë, që nuk është rasti me shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian të përfshira në projekt.

Beogradi përgatitet që të mos marrë asnjë kompensim për kostot tashmë të lidhura me ndërtimin e South Stream. Veç kësaj, Serbisë i duhet të dëmshpërblejë kompanitë ruse që janë të përfshira në projektin që ndodhet në territorin serb, nëse projekti vazhdon. Në mënyrë të pakthyeshme, Federata Ruse është bërë tashmë pronari më i madh i kompanisë më të madhe të naftës dhe gazit të Serbisë, Petroleum Industry of Serbia (Naftna Industrija Srbije).

Pavarësisht lajmërimit të Bullgarisë lidhur me ndërprerjen e ndërtimit, deri kur Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian vendos lidhur me South Stream, zyrtarët serbë kanë informuar kohët e fundit opinionin publik se ndërtimi i 30 kilometrave të para të gazsjellësit me kompanitë ruse do të kompletohet nga fundi i vitit. Lajmi i mirë është se gjurma e projektit është ndryshuar dhe tani shkon drejt Hungarisë, që aktualisht do të thotë se tubacioni do të lidhet me atë ekzistues nga Ukraina, jo me atë hipotetikun nga Bullgaria.

Hezitimi i Beogradit në konfliktin ukrainas e nënvizoi akoma më shumë varësinë e tij nga Rusia. Megjithëse e mbështeti integritetin territorial të Ukrainës, menjëherë lëshoi një deklaratë zyrtare ku nënvizohej miqësia e përjetshme me Rusinë.

Një krahasim grotesk midis çështjes së aneksimit të Krimesë dhe Kosovës u përdor për herë të parë nga Vladimir Putin dhe më pas u përsërit nga shumë zyrtarë serbë, përfshirë ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq. Të dy qëllimisht nuk përmendën bisedimet e paqes që u zhvilluan për Kosovën përpara bombardimit të NATO-s, pozicionin jashtëzakonisht të ndryshëm të shqiptarëve në Kosovë nga ai i rusëve në Krime, i ilustruar më së miri nga varrezat masive të civilëve, apo procesi i paqes nën kujdesin e bashkësisë ndërkombëtare pas bombardimit të NATO-s. Të gjithë këta faktorë i bëjnë të pamundura krahasimet midis Kosovës dhe Krimesë.

Një pozicion lehtësisht më agresiv ndaj integritetit territorial të Ukrainës “edhe me Krimenë” u paraqit nga Aleksandër Vuçiq. Në fakt, mënyra me të cilën Krimeja u shkëput është mjaft e rrezikshme për Ballkanin Perëndimor për shkak se krijon hapësirë për shpërbërje të mëtejshme të Bosnje- Hercegovinës (Republika Srpska), Serbinë (Sanxhaku) dhe Maqedoninë (pjesës perëndimore të vendit), diçka që rrallë është përmendur në Serbi.

Stefan Fyle dhe Catherine Ashton bënë një vizitë në Serbi shpejt pasi qeveria e re u formua në maj të 2014. Në të njëjtën kohë, Beogradi shtroi qilimin e kuq për Sergey Naryshkin, president i Dumës, i cili erdhi aty për të kontrolluar besnikërinë e tij. Naryshkin, i cili është në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe amerikane, u prit nga presidenti Nikoliq, mbajti një fjalim në Asamblenë Kombëtare serbe dhe në Universitetin e Beogradit. Asnjë media nuk e përmendi që Naryshkin ishte shënjestruar nga sanksionet perëndimore.

Në korrik të vitit 2014, kryeministri serb vizitoi Moskën. Ai u kthye me një numër të madh premtimesh lidhur me liberalizimin e mundshëm të tregut rus për industrinë e automobilave serbe. Megjithëse është mohuar zyrtarisht se bashkëdrejtimi i Serbisë në OSBE më 2014 dhe 2015 u diskutua gjatë bisedimeve me Putinin, është frikësuese që dy ish ministra të Jashtëm serbë, të dy anëtarë të “orkestrës së Putinit”, Ivan Mrkiq dhe Vuk Jeremiq, do të jenë në krye të kësaj detyre.

Prioriteti i Rusisë është që ta vendos çështjen e Transnitrisë lart në agjendë dhe ta heqë krizën ukrainase prej saj. Pavarësisht ftohjes së marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit, Vladimir Putin pritet që të vizitojë Serbinë në tetor dhe të marrë pjesë në festimin e bujshëm të përvjetorit të ‘70-të të çlirimit të Beogradit. Nëse ftesa është dërguar nga pala serbe, ajo nuk flet mirë për vullnetin e Serbisë që të pajtohet me politikat e Bashkimit Evropian. Nëse Putini ka ftuar veten, kjo është ndoshta një shenjë akoma edhe më e keqe për Serbinë.

Mënyra me të cilën rrëzimi i aeroplanit malajzian dhe një bllok i ri sanksionesh kundër Rusisë u interpretuan nga zyrtarët dhe media serbe, sugjerojnë se Rusia e ka kapur për fyti elitën politike serbe. Një injektim afatshkurtër dhe goxha i dyshimtë i parasë ruse mund të jetë tejet tundues për politikanët serbë që po luftojnë me kushte ekonomike të këqija. Ai do t’i jepte efektet më shpejt dhe mund të ishte më fitimprurës për elitën, se sa reformat afatgjata e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Pyetja se si Perëndimi e percepton aktivitetin e “orkestrës së Putinit” mbetet e hapur. Megjithatë, çdo mjet për t’i kundërshtuar ata është i panjohur. Lajmi i mirë është se bashkësia ndërkombëtare kohët e fundit mori një qasje më realiste lidhur me atë që po ndodh në Serbi. Një ndër preokupimet më të mëdha të saj rezultoi të ishte shtypja e lirisë së mediave dhe zhdukja e opinioneve kritike ndaj qeverisë. Veç kësaj, konferenca e donatorëve e quajtur “Të rindërtojmë së bashku” e mbajtur në korrik për Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën lidhur me përmbytjet që goditën rajonin, këtë vit treguan se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi në përgjithësi, ndryshe nga Rusia, është i përgatitur dhe i gatshëm që të ndihmojë.

Pavarësisht të gjitha dobësive të opozitës serbe dhe heshtjes së shoqërisë civile, topi është në fushën e tyre. Do të ishte në të mirë të Serbisë nëse ata kuptojnë se ka njerëz në Serbi si ata që qenë të pranishëm në EuroMaidanin e Kievit në shkurt 2014. Ata duhet të ribashkohen sërish dhe t’i shpjegojnë shoqërisë pasojat katastrofike e rusifikimit të Serbisë. Nëse Serbia vazhdon që të ruajë një mbështetje relativisht të lartë për integrimin në Bashkimin Evropian, atëherë ka shpresë së procesi i demokratizimit të mëtejshëm nuk do të rrezikohet. Një prej detyrave më të rëndësishme për sigurinë e Serbisë në vitet në vazhdim është një reflektim serioz ndaj diversifikimit të burimeve energjetike dhe efikasitetit energjetik. Është gjithashtu vendimtare për Vuçiqin që t’i zgjedh bashkëpunëtorët më me kujdes dhe të përzërë nga rrethi i ngushtë i tij ata që i vënë interesat ekonomike me Rusinë përpara vendit të tyre.

Fatkeqësisht, daullet e orkestrës së Putinit po gjëmojnë gjithnjë e më shumë, kësaj radhe duke i paraqitur kundërmasat ruse ndaj Perëndimit si një opsion zhvillimi për Serbinë, duke bërë thirrje hapur për veprime që do t’i maksimalizonin përfitimet për ta. Bashkimi Evropian dhe forcat e vërteta pro BE në Serbi duhet të paralajmërojnë menjëherë rreth kurtheve të kësaj rruge afatshkurtër dhe imorale.

(Jelena Milic është analiste politike dhe Drejtore e Qendrës për Studime Euroatlantike me qendër në Beograd. Më parë ka punuar si analiste politike kërkuese për Grupin Ndërkombëtar të Krizave dhe Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi).

(Përgatiti për bota.al: Amir Tirana)

 

ALN
Site Meter
Follow Us
Find us on Facebook