Banner
Banner

Video

Lista e mbeshtetesve

Te nderuar miq,

Ju faleminderit per kontributin tuaj! Ne kete hapesire do te publikojme listen e mbeshtetesve qe kane ndihmuar financiarisht gazeten.

Mbeshtetesit e deritanishem:

  1. Agim Saracini
  2. Alfred Perlala
  3. Erida Cela
  4. Gjoke Gojcaj
  5. Fatos Nushi
  6. Albulena Rrafshi
  7. Enver Spahiu
  8. Fitim Rashidi
  9. Bekim Sejdiu
  10. Jeton Lleshi
  11. Fahri Petlla
Home Lajme Qosja: Blloku, një grup puçist i tipit afrikan
Banner

Qosja: Blloku, një grup puçist i tipit afrikan

Në këtë krizë politike pothuajse të gjithë zyrtarët partiakë e pushtetarë në Kosovë kanë rënë në provim dhe, cili më pak, cili më shumë e cili krejtësisht janë komprometuar politikisht, kështu thotë akademik Rexhep Qosja.

Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, të cilën e boton edhe “Epoka e re”, Qosja ka thënë se krizën politike e shkaktoi grupi, tani i quajtur blloku, i përbërë prej Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, kryetarit e sekretarit të Nismës, Fatmir Limaj e Jakup Krasniqi. “Ata në të vërtetë para se të mbyllej procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 8 qershorit, bënë një puç të tipit afrikan: u turrën të bëjnë qeverinë sepse, thanë: bashkërisht, me aleancën që krijuam pas zgjedhjeve, kemi shumicën! Këtij grupi puçist iu bashkua edhe kush nuk pritej se do t’i bashkohej: Vetëvendosja. Puçi i tyre i nxitur nga pasioni për pushtet vetjak nxiti pasionin vetëmbrojtës të Partisë Demokratike. Dhe, kështu pasionet instiktive pushtetore dhe etjet pasurore me lakmitë privilegjuese të këtyre puçistëve dhe kundërpuçistëve vazhdojnë që tre muaj e tri javë. Dhe, kështu, me pasionet e tyre tragjikomike e cenuan keqas e pafalshëm konceptin e Kosovës shtet!”, ka thënë Qosja.

 

Sipas Qosjes, kriza e ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë fort Kosovën dhe t’i dëmtojë mentalitetin dhe kulturën politike shqiptare në sytë e të tjerëve në Evropë e në botë në përgjithësi. “Çfarë njerëzish të politikës janë ata që as për tre muaj e tri javë nuk mund të merren vesh për formimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë? Çka në të vërtetë duan ata? Çka në të vërtetë nuk duan ata?”, ka deklaruar Qosja.Ai ka vlerësuar se të gjithë zyrtarët partiakë e pushtetarë kanë rënë nga provimi dhe janë komprometuar politikisht duke menduar për pushtetin e jo për shtetin. “Dhe, kështu, në këtë krizë politike, pothuajse të gjithë zyrtarët partiakë e pushtetarë në Kosovë kanë rënë në provim dhe, cili më pak, cili më shumë e cili krejtësisht janë komprometuar politikisht. Ata treguan se mendojnë vetëm për pushtetin e vet, për leverditë e veta e jo për qeverisjen demokratike, për interesat e Kosovës”, ka theksuar Qosja.

Sipas tij, humbës politikë janë kryetarët e partive të dala nga UÇK-ja dhe Vetëvendosja, kurse fitues është kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Heronjtë e luftës çlirimtare pranojnë të ecin pas rrogëtarit të dikurshëm të kasapit të Ballkanit dhe pastruesit etnik të shqiptarëve-të ecin, të rreshtohen pas tij e të bëjnë politikën e tij! Përmbysje tepër dëshpëruese! Në këtë moçal politik, në të cilin luftëtarët Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi e lanë dhe e shpërlanë Isa Mustafën, pas tre muajsh u zhyt edhe Albin Kurti! Ky djalosh i zgjuar, që lexon, që mendon drejt për shumë çështje, hoqi dorë prej të gjitha atyre fjalëve që kishte shqiptuar për të kaluarën antikombëtare politike rrahmanmoriniane dhe millosheviqiane të Isa Mustafës dhe për, si thoshte, përfitimet e llojllojshme materiale të Ramush Haradinajt, të Fatmir Limajt e të partizanëve të tyre në Kosovën e privatizuar dhe me sapun venus filloi t’i lajë e t’i shpërlajë të përzgjedhurit e tij, në të vërtetë përdoruesit e tij të udhëhequr prej Isa Mustafës! Për disa poste administrative të vetes e të bashkëpunëtorëve të vet Albin Kurti i ktheu në hiçgjë politikën dhe etikën me të cilat Vetëvendosja ishte bërë zë i ri dhe shpresëdhënës në Kosovë”, është shprehur Qosja, duke shtuar se në këtë moçal politik ka rënë edhe Hashim Thaçi. Në këtë kontekst, ai ka thënë se presidentja Jahjaga nuk ka bërë asgjë karshi krizës politike. “E si të bëjë? Identiteti i saj më shumë se në prestigjin e paqenë politik mbështetet në kostumet e saj luksoze!”, ka theksuar Qosja.

Ai ka thënë se të drejtën që të krijojë qeverinë e ka Partia Demokratike, sepse ajo i fitoi zgjedhjet. Qosja ka deklaruar se pas gjithë kësaj tollovie politike, pa urtësi politike, Hashim Thaçit i mbetet të mendojë e t’i nxjerrë konkluzionet: nga e gjithë kjo revoltë ndaj tij, revoltë e partive politike, revoltë e intelektualëve dhe çerekintelektualëve, e organizatave joqeveritare, e disa medieve, e një numri të dukshëm të ish-luftëtarëve!

Qosja ka folur edhe për arrestimet e imamëve, duke thënë se është kundër shkuarjes së shqiptarëve në luftërat e të ashtuquajturit ISIS në Irak, Siri apo kudo tjetër në Lindje të Mesme. “E dënoj shkuarjen dhe përkrahjen në çfarëdo mënyre të pjesëmarrjes së shqiptarëve në terrorizmin e ISIS-it, por nuk e pranoj as Zyrën, në të vërtetë Qendrën që ka hapur Dom Lush Gjergji për konvertimin e shqiptarëve të besimit mysliman në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera Qosja.

ALN
Site Meter
Follow Us
Find us on Facebook