Banner
Banner

Video

Lista e mbeshtetesve

Te nderuar miq,

Ju faleminderit per kontributin tuaj! Ne kete hapesire do te publikojme listen e mbeshtetesve qe kane ndihmuar financiarisht gazeten.

Mbeshtetesit e deritanishem:

  1. Agim Saracini
  2. Alfred Perlala
  3. Erida Cela
  4. Gjoke Gojcaj
  5. Fatos Nushi
  6. Albulena Rrafshi
  7. Enver Spahiu
  8. Fitim Rashidi
  9. Bekim Sejdiu
  10. Jeton Lleshi
  11. Fahri Petlla
Home Analiza Ka vetem nje rrugedalje, Shqiperi Natyrale: Interviste e Koço Danaj dhene gazetes Telegraf
Banner

Ka vetem nje rrugedalje, Shqiperi Natyrale: Interviste e Koço Danaj dhene gazetes Telegraf

- Kështu, siç zhvillohet deri më sot politika, palët politike, a janë shumë të interesuara të plotësojnë standartet e 12 prioriteteve për në BE?

Jo, Palët politike janë të interesuara kush do të jetë në pushtet. Ky është realiteti. Por ka edhe demagogji. E, demagogjia flet ndryshe, ajo ka sulme dhe kundërsulme midis qeverisë dhe opozitës se gjoja ky apo ai e ka fajin. Por në heshtje ata të gjithë e dijnë se statusi i vëndit kandidat, është vendim poltik, vullnet politik.

Ju kujtohet pranimi në NATO që ndodhi 18 ditë pas Gërdecit? Po të ishte për 12 apo 15 kushte, Gërdeci i hodhi poshtë të gjitha. Por ishte një vendim politik dhe prandaj Shqipëria u pranua në NATO. Kështu është edhe me BE, nuk ka vendim politik akoma dhe prandaj ka 12, 15 e sa të duash kushte kritere etj etj. Shumica e politikanëve e dijnë këtë gjë. Dhe prandaj askush nuk i merr seriozisht 12 kushtet që janë si 12 muaj viti. Asnjë kusht nuk plotësonte Sërbia për të marrë statusin e vëndit kandidat, por duhej ndihmuar Tadic të fitonte zgjedhjet. Prandaj u muar një vendim politik, prandaj u bënë padrejtësira në kurriz të shqiptarëve në Kosovë. Por Tadic dështoi, populli serb, votoi Nikolic dhe BE dështoi.

- Kemi një qëndrim apatik të shoqërisë, edhe në rastet sporadike, zërat janë të veçuar, sikurse në zgjedhjen e Presidentit, me ndonjë letër të disa intelektualëve. Sipas jush, përse ndodh kjo?

Po është normale, kur ti si politikë më kërkon vetëm kur ke nevojë për vehte, kur ti më trajton si Makiazh, kur ti më trajton si Mish për Top, kur ti edhe kur unë flas, bën cfarë ke vendosur, pra në të gjitha këto kushte, kalohet në apati, në indiferentizëm etj. Dhe e dyta, nuk duhet të harrojmë se deri më tani, në Shqiperi mungon Nocioni “Shoqëri Civile”, ka vetëm individe Civilë që kane kurajo, pavarsi dhe ide. Ajo që ekziston është Shoqëria Politike. Ose pëe të qënë më I saktë, cdo parti politike në Shqipëri ka “Shoqërinë Civile të saj” Ndiqni takimet e ndryshme të të ashtuquaturës shoqëri Civile, ndiqni gazetat e ashtuquajtura të pavarura, ndiqni TV e ashtuquajtur të pavarur dhe kuptohet fare lehtë së kemi të bëjmë ose me Shoqëri Politike, ose me Shoqëri Civile si bisht I partisë Politike.

- Mos vallë është politika, që do ta monopolizojë gjithçka, duke e lënë qëllimisht në pasivitet rolin e shoqërisë në procesin e zhvillimit? Ka rrugëdalje?


Natyrisht që po. Por konstatimi nuk mjafton. Një shoqëri Civile e pjekur, me nivel, ka një fushë të gjërë me anë të së cilës mund ti imponohet vetë politikës. Cfarë kam parasysh? Kam parasysh vetë problematikën e shoqërisë shqiptare, të të gjitha kategorive, moshave, sekseve etj etj. Le të bëhemi më konkret: Analizojeni qytetarin shqiptar të pas 1990-ës: Një pjesë e tij u ngjan personazheve të Balzakut që duan të skllavërojnë botën, prandaj i ke edhe nëpër botë duke bërë që nga punët më të mira deri te më të pistat, por që u përmenden vetëm të pistat për t’i anatemuar. Një pjesë tjetër u ngjan personazheve të Dostojevskit, që duan ta mposhtin botën, por jo ta zhvatin atë. Ata kënaqen vetëm me idenë e mposhtjes, pa u joshur nga forca e parasë. Ata duan vetëm të tregojnë që dinë të pushtojnë, që izolimi nuk është pamençuri apo inferioritet intelektual, por thjesht izolim politik.

Ndërsa një pjesë tjetër u ngjan personazheve të Dikensit, të cilët kënaqen dhe duan të jetojnë me një mesatare të rehatshme, me një qen, që kënaqen me qindra telenovelat që jep televizori. Ata duan një politike dixhestive, një art dixhestiv dhe një shoqëri dixhestive. Ata duan mornica sentimentale, por nuk e duan ankthin shekspirian. Një pjesë tjetër u ngjan personazheve të Agollit që mbartin me vete mëshirën dhe altruizmin. Kujtoni «nizamin» e Dritëroit dhe mëshirën agolliane. Që jo vetëm ia lë sytë hapur «nizamit» të tij, por e “çon” edhe në shtëpi, ku gruaja i ka mbetur shtatzënë dhe ai vdes me pamjen iluzive se ka parë “pragun që nuk iu shua”. Ndërsa një pjesë tjetër të kujton personazhet e Kadaresë, të cilat nuk e kanë as mëshirën, as altruizmin agollian, por ta japin jetën ashtu siç është pa iluzione. Kujtoni për një çast edhe «nizamin» e Kadaresë. Edhe Kadareja nizamit të tij, para se të vdesë ia lë sytë hapur dhe e «çon» në vendlindje, në shtëpi. Por me zemër të plasur «nizami» i Kadaresë do ta pijë kupën e helmit të jetës dhe do vdesë duke thënë se «kur shkoja kallamesë, ndala kalë/ pashë vajzën e pabesë me një djalë».

Ështe nje univers karakteresh njerëzore i formësuar pas viteve ‘90-të të shekullit të kaluar. Por që deri tani kanë pasur vetëm iniciativën e tyre të lirë si qytetarë, por jo idetë si komunitet. Komuniteti i tyre, fatkeqësisht, akoma nuk e ka shpallur identitetin e tij, sepse është pa ide. Dhe në mungesë  të ideve, ata vazhdojnë të sodisin “Panairin e Kotësive”!!?? Ja pikërisht, këtu, Elita e shoqërisë Civile, me studimet e saj mund dhe duhet ti imponohet politikës të majtë apo djathtë qoftë.
Vazhdojmë akoma: Sot po flitet për korigjimin e historisë së shqiptarëve përgjatë 100 vjtëve. Normal. Nuk ka asgjë të keqe në parim. Por cfarë ndodh në thelb. Sot flitet me të drejtë për rivlerësimin e britanikëve gjatë luftës së dytë botërore, por harrohet të flitet për një gjë madhore. Dhe këtë duhet ta bëjë shoqëria Civile. Cila është ajo? Pse britanikët nuk e njohën ahmet zogun si mbret në vitin 1940, por I dhanë statusin e Refugjatit, kur kishin njohur si mbretër atë të Greqise dhe Ish Jugosllavisë? Cfarë thonë arkivat? Ato thonë se Ahmet Zogun nuk e njohën si mbret sepse ata (britanikët) kisihn vendour që ta coptonin fare shqipërinë  pas luftës dhe tja jepnin deri në Shkumbin Greqisë ndërsa mbi Shkumbin, ish Jugosllavisë. A duhet tat hemi këtë, apo jo, se mos u ngelet qejfi britanikëve!!!. Ja këtë duhet të bëjë një Shoqëri Civile reale dhe jo e stisur.

- Duke analizuar gjithë spektrin politik, politika jonë sa është shkëputur nga mentaliteti i dikurshëm, dhe sa bashkëkohor është?

Ka shumë problem, që nuk mund të ezaurohen në një intervistë, por po përmënd vetëm njërin prej tyre, ndoshta më të rëndësishmin. Cfarë shteti kemi sot, jo thjesht, cfarë qeverie, kemi njëShtet-strateg dhe i vogël apo shtet si “ambulancë urgjence”Ky është një ndër problemet më të mprehta të sfidave të  politikës shqiptare të djathtë apo të majtë. Shteti që kemi aktualisht në emër të lloj-lloj kërkesave shumica ireale apo korruptive  të ngjan me një “ambulance urgjencash”. Dhe me që aksidentet janë të shumta u gjet rruga më e shkurtër: shto numrin e punonjësve të “ambulancës”. Por urgjenca nuk është profilaksi. Për më tepër rrezikon të shndërrohet në një “ambulance korruptive”.
Shqipëria ka nevojë për një shtet tjetër. Politika duhet të përpunojë projektin e një “shteti strateg”, i cili jo vetëm mjekon në raste urgjencash, por parashikon, ai nuk gjen vende pune, por përpunon politika punësimi. Shteti strateg nuk ka nevojë për shumë njerëz. “Ai është i vogël”. Ai ka nevojë për shumë ide dhe projekte, ka nevojë për njerëz të mençur e të përgjegjshëm. Deficenca mentale nuk mund të mbulohet me krijimin e lloj-lloj strukturave gjoja në emër të progresit. Progresi fillon nga truri, nuk fillon nga struktura. Qytetari ka nevojë për katër mësime të botës së sotme moderne: Të mësojë të jetë qytetar, të mësojë të dijë, të mësojë të zbatojë, të mësojë të jetojë në komunitet. Autoriteti i shtetit nuk është autoritarizëm, por demokraci. Por autoriteti i shtetit nuk është aritmetikë shifrash punonjësish. Mjerisht këtë nuk e shikojmë akoma në realitetin e shtetit shqiptar

 

- Për të kuptuar forcën e shoqërisë, shembull është çështja e referendumit. Shoqëria vetë, nuk kishte forcë që të lëvizte sado pak KQZ-së e cila kishte bllokuar 60.000 firma. Shqoëria civile, a mund të shikojë te vetvetja njëfarë përgjegjësie, dhe cilat do të ishin mënyrat e reagimit?

Referendumin e konsideroj si element të demokracisë dhe pjekurisë së një vëndi.Dhe kjo nuk ka të bëjë me dobësinë e Shoqërisë Civile sado embrionale qoftë ajo. Kjo ka të bëjë me thelbin e shtetit që kemi. Eshtë një shtet-Vilajet. Dhe Vilajeti nuk lejon Referendum.  E dyta:  Kjo demokraci që kemi nuk mjafton edhe sikur të jetë zbatuar në mënyrë të shkëlqyer, nënvizon Jurgen Habermas. Qytetarët kanë nevojë për një demokraci reale. Dhe e tillë është demokracia pjesëmarrëse e tyre në punët e shtetit dhe pushtetit jo njëherë në katër vjet. Deri më sot, demokracia e aplikuar ka qenë ose demokraci tifozësh ose demokraci e votës. E para ka në thelb tribalizmin, bajraktarizmin dhe desktruktivitetin. Ndërsa e treta, duke qenë më e avancuar, tregoi se ka në thelb, veçanërisht në një vend të varfër, trafikun e influencave, veçanërisht kur në ndihmë të vjen edhe pushteti me administratën e tij. Nevoja e një demokracie pjesëmarrëse nga qytetarët bëhet imperative edhe në një fakt tjetër. Në një shoqëri pluraliste ekzistojnë katër pushtete: pushteti ekzekutiv, ai legjislativ, gjyqësor dhe pushteti i katërt, ai mediatik. Në kushtet e ekzistencës së katër pushteteve, demokracia e ka të vështirë të jetojë si e tillë. Që të mos mbetet vetëm proklamate, por realitet, ajo duhet të jetë demokraci pjesëmarrëse e vetë qytetarëve. Një parti politike e majtë, demokracinë pjesëmarrëse e konsideron imperativ të veprimtarisë së saj politike.

- Ju, si do ta vlerësonit rolin dhe oponencën e PS-së? Po vetë lidershipin e PS-së?

Të dobët, shumë të dobët. Eshtë një opozitë mediatike, një opozitë që deri tani, cdo gjë që ka nisur e ka lënë përgjysëm. Ka disa arsye. Cilat janë ato?
Opozita në Shqipëri flet shumë për «fabrikat e ideve». Po ku i ka «fabrikat» dhe  çfarë po «prodhojnë» ato ? Në Shqipëri në mënyrë figurative flitet për  « Republikë Popullore dhe Republikë Borgjeze». Një pjesë  kërkon «Republiken  Popullore» sepse varfëria në Shqipëri është e tejskajshme. Dhe njësoj si Bismarku  që megjithse ishte I djathtë aplikoi I pari Shtetin Social, kërkon të aplikojë masa sociale që natyrshem bien ndesh me atë pjesë që kërkon thjeshtë «Republikën Borgjeze». Në historinë e shoqerisë kanë qënë të pasurit ata që kanë propozuar masat më sociale për të varfërit. Sepse ata e kanë ditur dhe e dinë se një parti politike që nuk ndihmon dot të varfërit e shumtë, nuk mund të mbrojë dot të pasurit e paktë.
Ndërsa  opozita e Shqipërisë në vënd që të kapej ndaj kesaj dukurie, kaloi në mesatarizëm pagash dhe filloi kritikat ndaj pushtetit. Kaos dhe anarki idesh?! Por opozita harroi një element themelor të jetës së njeriut. Mirqënia e të gjallëve asnjëherë nuk është mesatare. Dhe e harruan ata që sa ishin në pushtet, aplikuan «socializmin feudal».  «Mesatarja e pagave» realizohet vetem në varr, pavarsisht nga «çmimi» i pllakës së mermerit sipër varrit!?
Deri më sot opozita e majtë nuk është ndryshe. Në shumë raste nuk është as opozitë. Ose është opozitë pushtetare kur duhet te jetë opozitë qytetare. Sa kohë që qytetari  kërkon Projekt Social, teksa opozita flet për Projekt Politik, do të thotë se në vënd të opozitës, Shqipëria ka vetëm sekte politike dhe shoqata masonësh. Dhe për aq kohë është më se reale dilema qytetare: Unë jam i pakënaqur nga pushteti, por pse duhet të të besoj ty??
Ata që janë poshtë duan të dinë: Po nëqoftëse riktheheni përsëri  në pushtet, a do të merrni  me vehte ushtrinë e sekserëve që krijuat gjatë 8 vjetëve. Sepse  ndërlidhsja midis atyre që ishin poshtë dhe atyre që ishin lart ka qënë ushtria e sekserëve. Gjatë 8 vjetëve, shërbim publik ndaj qytetarëve do të thoshte sekser.

Për shëmbull : Për një të majtë moderne, solidariteti përbën thelbin e kapitalit moral të saj. Solidariteti i vlerave është thelbi i një shoqërie moderne që ashtu siç nuk pranon një moral të vjetëruar apo zvetënuar, po ashtu nuk pranon një shoqëri pa moral.
Shoqëria shqiptare është solidare  me Afganistanin dhe popullin afgan prandaj ka dërguar  edhe trupa ushatarake. Kjo është gjë e mirë, por.. a është kjo shoqëri solidare me popullin e Kelmendit dhe Dugagjinit që shumicën e vitit është i izoluar nga Shqipëria ?
Shoqëria shqiptare është solidare  me popullin boshnjak, kroat dhe serb në Bosnjë Hercegovinë prandaj ka edhe trupat e saj atje.  Kjo është një gjë e mirë, por..a është kjo shoqëri  solidare brënda vehtes së saj a mund te quhet solidaritet festimi I ditës së  çlirimit  veç e veç ?
Shoqëria shqiptare është  solidare ne luften kunder terrorizmit dhe kjo i bën nder kësaj shoqërie, por … a jemi solidarë në luftën kundër varfërise, kërcënimi i së cilës është me shumë se terrorizëm shpirtëror, është fantazëm e inkuizicionizmit.
Solidariteti nuk është vetëm respekt vlerash, ai është akoma më tepër. Solidariteti është politikë qeverisëse, e plotë, e gjithanshme dhe për të gjithë brezat e shoqërisë shqiptare.
Solidaritet qeverisës do të thotë jo barazi në varfëri, as në fate apo pasuri, por barazi në shanse, barazi në mundësi
Nevojat  e qytetarëve  ndryshojnë, por të gjithë qytetarët janë në nevojë. Dhe është shteti i qytetarëve ai që klasifikon këto nevoja për nga urgjenca e tyre, rëndësia e tyre duke i shndruar në politika qeverisëse etj.

Përsëri për shëmbull: E majta në Shqipëri ka shumë «tifozë». Ka më shumë tifozë se sa antarë apo simpatizantë partie. Të gjithë drejtuesit kryesorë të partive të majta kanë pasur dhe vazhdojnë te kenë tifozët ë tyre. Prania e tifozëve nuk është rastësi. Ajo vjen edhe si një reminishencë e së kaluarës, por forcohet edhe si pasoje e mentalitetit aktual të lidërshipit majtist. Shumë nga drejtuesit e së majtës përdorin shpesh termin progres, por aplikojne në veprimtarinë e tyre injorancën dhe mediokritetin që në gjuhën politike emërtohet «Këneta Politike». Prandaj ata preferojne tifozët edhe kur flasin për antarët. Prandaj ata preferojne «tifozët» edhe kur flasin per simpatizantët e tyre.  Te besuarit e kryetarit apo drejtuesit te partisë, nuk janë antarët e saj, por «tifozët» të cilët edhe mund të  jenë antarë apo simpatizantë të partisë. «Tifozët» e drejtuesit të partisë bëhen antarë pasi ju thotë drejtuesi apo kryetari i partisë. Në situata delikate brënda partive politike, këta drejtues gjithmonë kanë thirrur në ndihmë dhe thërrasin në ndihmë, jo antarët e partisë, por tifozët e tyre personalë. Kësisoj edhe statutet e partive mbeten  vetëm fasadë dhe mbulesë e mosdukjes së tifozëve. Fasadë dhe mbulesë e «feudit apo çifligut».  Ekzistenca e tifozëve të drejtuesve të ndryshëm partiakë nuk varet nga ata. Nga ata është varur dhe varet vëndi dhe roli që u japin tifozëve ne veprimtarinë e partive politike kur ato janë në opozitë apo të pushtetit kur partia është në pushtet.
Analiza e së majtës pas vitit 1997-të, tregon se  pushteti i majtë ne thelb ka qënë pushtet tifozësh. Pranimet në parti kanë qënë në thelb, ne shumicë, pranime tifozësh. Ngritjet në përgjegjësi kanë qënë në shumicë nga radhët e tifozëve të këtij apo atij drejtuesi partie. Kësisoj, partitë politike të së majtës më shumë se sa parti politike kanë qënë parti tifozësh. Eshtë kjo arsyeja që ato ndjejne tronditje sa herë që ndonjë drejtues i rëndësishëm nga ata që kanë pasur shumë tifozë, rebelohet. Tronditja nuk ka të bëjë me Platformën apo idetë e hedhura në tregun e politikës, por me tifozët e tij, te cilët ashtu si ne stadium nuk e kanë të vështirë të bërtasin për të preferuarin e tyre edhe kur ai është duke humbur.

- A mendoni se PS-së i mungojnë personalitetet?

Jo, i ka me shumicë dhe të shquar, por i mungojnë idetë. Mjedisi politik shqiptar ka një të majtë të pabërë. Por ajo duhet bërë. Nuk është një dëshirë, është një nevojë. Ndërtimi i së majtës fillon nga riideologjizimi  i saj. Është një riideologjizim  pa rrugë tjetër. Nuk ekziston në botë asnjë parti që të mos ketë ideologjinë e saj.  Tipari i deideologjizimit  nuk ka të bëjë vetëm me majtistët, por edhe me gjithë shoqërinë. Totalitarizmi, thotë Hanah Arendt, lind nga një shoqëri e deideologjizuar. Por kjo përbën një trajtesë tjetër. Le të kthehemi tek e majta dhe përpjekjet për ta ndërtuar atë. Qysh në fillim të ndërtimit të saj ndeshen dy prirje:
Prirja e parë ka të bëjë me vazhdimësinë e depolitizimit nëpërmjet deideologjizimit të saj. Ndeshemi kështu me një ngatërresë të nevojshme për ta kapërxyer. Mjedisi i sotëm social, kulturor, teknologjik etj nuk mund ta suportojë akoma një parti të mirëfilltë ideologjike. Por është i vërtetë edhe pohimi tjetër se i njëjti mjedis nuk pranon ekzistencën e nje partie depolitike. Sa kohë ke thënë parti, për aq kohë, politika është brënda. Dhe sa kohë  që politika është e pranishme, është e tillë edhe vetë ideologjia. (Ideologji- fusha e ideve).
Partia nuk është një parti ideologjike në vetvehte. Por nuk ekziston parti politike që të mos ketë ideologjine e saj. Parti pa ideologji do të thotë parti pa ide. Dhe parti pa ide, do të thotë të jesh i dënuar të qendrosh vetëm në periferi të zhvillimeve politike, sociale dhe ekonomike.
Thelbi i pluralizmit është beteja e ideve të ndryshme, të cilat ide shndrrohen në politika partish apo në legjislacion qeverisës.(Kështu ka qënë qysh në kohën e Romës së lashtë, kur beteja midis majtistëve të Kaj Marit dhe djathtistëve të Luç Kornel Sulës u zhvillua duke pasur si thelb idetë mbi zhvillimin e mëtejshëm të Perandorisë Romake.  Vetëm mentaliteti tribalist e shndrron këtë thelb në betejë individësh dhe shitblerje politikanësh.)
Ngërci dhe stanjacioni social dhe ekonomik  i Shqipërisë, është në thelb, stanjacion i ideve, është në thelb, ngërc ideor. Shoqëria e sotme shqiptare është në thelbin e saj një shoqëri që ka humbur rrugën. Ajo shkon, por nuk di ku shkon. Ajo ecën, por nuk di nga ecën. Dhe ndodh kjo dukuri, sepse partite politike janë të tilla vetëm për fasadë. Ato në emër të negacionit ndaj partisë ideologjike si të tejkaluar nga koha, kanë flakur tej vetë ideologjinë, pa të cilën secila kohë nuk mund të ecë përpara,  nuk qëndron thjesht në vënd, por rrezikon të kthehet prapa. Edhe vetë prapambetja e Shqipërisë, midis shumë arsyesh, ka njërën prej tyre, që është refuzimi kohëpaskohshëm i ideologjisë, përbuzja e ideve nga shtresat drejtuese politike të saj përgjatë një shekulli. Kemi të bëjmë me një përsëritje të saj edhe në fundshekullin e 20-të dhe fillimshekullin e 21-të. Janë të mjaftueshëm dy shëmbuj të marrë nga kjo periudhë.
Shëmbulli i parë:  Shtresa politike që drejtoi Shqipërinë pas viteve 90-të pati disa arritje në fazën e parë. Por ngerci dhe stanjacioni mbërriti shumë shpejt, pas disa vitesh. Ai u shfaq në formën e «Sudes dhe Gjeneralit».  Por fondacionet piramidale ishin një rastësi. Ato thjesht mbuluan mungesën e ideve të zhvillimit të Shqipërise, duke i dhënë një drejtim ndryshe spiegimit të asaj që ndodhi.
Shëmbulli i dytë : Edhe shtresa politike e cila erdhi në pushtet pas vitit 97-të, në fillimet e saj pati një sërë arritjesh. Por pas disa vitesh, edhe kjo shtresë, shterroi ideologjikisht. Idetë e saj u ezauruan sëbashku me proçesin e rindërtimit të Shqipërisë së pas vitit 97-të.Mandati i dytë i saj i viteve 2001-2005 ishte në thelb një mandat i çoroditur, pa ide, një mandat i frikshëm. Por ashtu si në rastin e parë, kur ishin firmat piramidale ato që shërbyen si mbulesë, në rastin e dytë mbulesa  ishte lufta pa skrupuj brënda llojit. Ky lloj «incesti politik», I cili u servir me autoritarizëm dhe abuzivizëm si zhvillim I demokracisë, ishte në thelb, treguesi I mungesës së saj, i mungesës së ideve. Aktualisht, e majta shqiptare edhe tashmë ndodhet në të njëjtat  pozita, duke përjashtuar kozmetikën dhe makiazhin. Ajo është një opozitë që luan në mbrojtje, kur duhet të ishte në sulm. Ajo është një opozitë propagandistike, mediatike, kur duhet të ishte një opozitë alternative. Një opozitë që prêt se cfarë do të thotë e bëjë qeveria e pastaj të japë përgjigjë, është larg të qënit Alternativë e pushtetit. Dhe përsëri kemi të bëjmë me mungësën e Vizionit, të Ideve të së ardhmes. Ja një shëmbull: ngjitur me ne ndodhet Greqia, në një krizë totale. Por ngjitur me ne, ka lindur një Frymë e Re, si rrugëdalje për të dalë nga kriza. Dhe kjo është SYRIZA ose Fryma Cipras. Sot ajo është opozitë. Nesër do drejtojë Greqinë me idetë që ka hedhur për të dalë nga kriza. A e di, opozita shqiptare cilat janë këto ide, cfarë është kjo frymë, sa mund të aplikohet ajo në kushtet e Shqipërisë nga opozita shqiptare? Deri tani jo.

Cfarë është Fryma Cipras? Komuniste? Jo, Partia Komuniste greke e Paparigës është kundër Cipras. Kapitaliste? Jo, Demokracia e Re dhe PASOK janë kundër Frymës Cipras. Atëhere, cfarë është? Është Rruga e tretë, është rrugëdalja reale nga kriza europiane që sa vjen e po thellohet. Me kë ngjason kjo Frymë kaq e anatemuar, por e paanalizuar deri më tani. Nuk ngjan as me komunizmin klasik, as me kapitalizmin klasik. Ngjan me Trockizmin, ngjan me Fordizmin, ngjan me Kenedizmin, ngjan Klintonizmin, ngjan me Blerizmin. Po pse ngjan me ata? “Puntorët po na shkatërrojnë makinat” I raportonin menaxherët, Fordit të madh para një shekulli, “nuk dijmë” si tja bëjmë? Dhe Fordi e gjeti zgjidhjen. “Jepini cdo puntori nga një makinë” bëjini ata bashkëpronarë dhe ata nuk do të shkatërrojnë më. Kështu lindi Fordizmi. “Varfëria” po bën kërdinë, I raportuan Xhon Kenedit, bashkëpuntorët e tij, nuk dijmë si tja bëjmë. Dhe Xhon Kenedi, lëshoi sentencën universale që ju drejtohej të gjithëve, por më shumë të pasurve: “Ajo qeveri që nuk ndihmon dhe mbështet të varfërit e shumtë, ajo nuk I mbron dot të pasurit e paktë” . Dhe të pasurit e SHBA e kuptuan mesazhin duke derdhur më shumë para në buxhetin federal. Në 1985, kandidati demokrat Mondejl humbi në mënyrë spektakulare përballë Republikanit Regan. Pas kësaj, një grua e mëncur, e quajtur Pamela Hariman, krijoi Klubin e Demokratëve të rRnj, të drejtuar nga një politikan I ri, I quajtur Klinton. Pas këtij takimi, lindi ajo që më vonë do të quhej, as djathtas, as majtas, por Rruga e Tretë. 8 vjetët e Klintonit në krye të SHBA, ishin vjetët e lulëzimit të ekonomisë dhe mirëqënies në SHBA. Këtë rrugë kopjoi, Bler dhe ideologu I tij Gidens në vitin 1992, pasi e studjoi në SHBA. Dhe vitet e Bler, ishin vitet e lulëzimit të ekonomisë britanike.Këtë rrugë ka kopjuar edhe Fryma Cipras. Por fatkeqësia e tij është se ai është pjestar I një vëndi të vogël, prandaj edhe rezistenca ndaj tij është shumë e madhe nga të mëdhenjtë. Shoble, ministri gjerman I financave e shprehu këtë më qartë se të tjerët kur tha se: “Unë e di që populli grek do varfërohet më shumë, unë e di se të pasurit grekë e kanë “lidhur gomarin”, pra e kanë siguruar pasurinë e tyre.”
Tashmë Fryma Cipras, do të jetë në opozitë. Tashmë në Greqi do të qeverisë e “Keqja më e vogël”. Por tashmë e dijn ë të gjithë se kriza europiane nuk zgjidhet me ultimatum, me kërcënime. Këtë po e kuptojnë në Berlin, në Paris, Romë apo Uashington. Nesër mund të ndodhë dhe do të ndodhë që Fryma Cipras të përfshijë vetë Gjermaninë. Nesër mund të dalë dhe do të dalë një Cipras tjetër gjerman që të thotë se: Përse puntori gjerman duhet të paguajë që të shtojë pasurinë e pasanikëve grekë, italianë, portugezë etj etj? Pas kësaj, të gjithë do ta kuptojnë se Fryma Cipras që lindi në një vënd të vogël, është mjeti më I mirë për të dalë nga kriza. Deri atëhere, kjo Frymë do të jetë në opozitë. Por do të jetë si shpresë dhe dritë në fund të tunelit të krizës totale që ka përfshirë Europën.
Por opozita shqiptare nuk e ka analizuar këtë Frymë. Mbi 80 përqind e aktivitetit të saj kanë të bëjnë me Reformën zgjedhore  apo parlamentare. Prandaj edhe nuk ka ide zhvillimi, prandaj edhe nuk ngjit.
Dhe e fundit:  E majta në Shqipëri duhet të jetë e majtë kombëtare. Çfarë dua të them me këtë. Sot shoqëria shqiptare nuk ka një Marrëveshje Vlerash Morale kombëtare të saj, të pranueshme nga të gjithë dhe të detyrueshme pastaj të respektohen nga të gjithë.  Prandaj edhe ndodh, që në këtë prag 100 vjetor, shqiptarët  dëgjojnë  vetëm zërin e qeverisë  por nuk dëgjojnë zërin e opozitës  ndaj deklarimeve dhe veprimeve të qeverisë. Prandaj, një ndër punët e para të së majtës së re  duhet  të jetë hartimi i kësaj Marrëveshje Vlerash jashtë bindjeve politike, përkatësive krahinore. P.sh., në qoftë se Konferenca e Bujanit është një vlerë madhore, ajo do të përbëjë fondin e artë të së majtë së re. Në qoftë se pluralizmi i viteve ‘20-të përbën një vlerë madhore, do të jetë pjesë e fondit të artë të së majtës së re. Në qoftë se antifashizmi përbën një vlerë ndër madhoret, do të jetë i tillë për të majtën e re. Dhe e fundit, nëqoftësë Kushtetuta sanksionon  në Preambulën e saj  sit ë ligjshëm bashkimin kombëtar, opozita  duhet ta ketë këtë  kryefjalën e saj në cështjen kombëtare. E majta e re, në çështjen e vlerave nuk do kërkojë pronësi, por vetëm respekt nga të gjithë, duke m’i dhënë shoqërisë mentalitetin progresist dhe identitetin modern shqiptar.
Por edhe kaq nuk mjafton: E majta që duhet ringritur ka të domosdoshme të jetë mbarëkombëtare. E majta mbarëshqiptare-ky është emri më realist dhe më progresist i saj. Çfarë dua të them me këtë?  Dua të them e Shqipëria ka nevojë për një të majtë nacionaliste
Përballë traktateve politike të ardhura nga qendra e Metropolit Evropian dhe i krahasuar me ato, pohimi i sipërthënë nuk është pjesë e tyre. Përballë realitetit të Shqipërisë dhe të vetë kombit shqiptar në Tiranë ...Prishtinë, Tetovë, Preshevë, Ulqin, pohimi i sipërthënë përbën thelbin e gjysmës së politikës shqiptare. Përballë nocioneve shekullore, perandori, internacionalizëm, kozmopolitizëm, integritet, globalizëm etj, pohimi i sipërthënë tek shqiptarët është më i ri në moshë. Por është më realisti dhe më i domosdoshmi. Është më i papërpunuar, por më i detyruar. Më i pambrojtur, por më i nevojshëm. Nocionet e tjera janë moda e politikës aktuale, e majta nacionaliste duhet të jetë thelbi i politikës së majtë. Nocionet e tjera janë një zvarritje, një bishtnim i traktateve të ardhura nga qendra e metropolit. E majta nacionaliste është prodhim i periferisë s¬ë Metropolit që quhet Shqipëri. Kombi shqiptar ka nevojë për një të majtë, ashtu siç ka nevojë për një të djathtë. Por kjo nuk mjafton. Ajo duhet të ketë vetëm një cilësor dhe ai duhet të jetë: E Majtë Nacionaliste.Përse?Sepse kombi shqiptar është akoma një komb i paunifikuar, sepse shteti i parë shqiptar kufizohet në të gjithë kufirin e tij tokësor herë si origjinë dhe shumica si realitet me kombin e tij.  Një komb i pakonsoliduar kërkon një të majtë nacionaliste. Proceset integruese për shqiptarët nuk janë njëkalimshe vetëm drejt Brukselit, por janë shumëkalimshe; edhe drejt Prishtinës, Tiranës, Tetovës etj. Baza e kombit shqiptar e ka kuptuar një gjë të tillë, prandaj po kërkon edhe politikën e tillë. Por e majta e kombit shqiptar është akoma internacionaliste, është integriste, është kozmopolite.

- Vetë marrja e statusit të kandidatit, edhe nëqoftëse na e japin, çdo të thotë për Shqipërinë dhe shqiptarët? Finishi i mbërritjes në BE?

Jo, është thjesht propagandë. BE po shpërbëhet, sic thotë Merkel, BE ka nevojë të ribëhet. Dhe Finishi ynë nuk mund të jetë rruga drejt shpërbërjes. Synimi ynë duhet të jetë Rruga drejt Europës së Re që  do të bëhet në mënyrë të pashmangshme. Fundi I Finishit për në BE e Re, do të jetë Shqipëria Natyrale. Ne në fillim do bashkohemi, pastaj do integrohemi.

- Kaluam zgjedhjet e Presidentit, duke mos e kapërcyer dot ngërçin dhe tensionet politike. Tashmë e njëjta përsëritet për reformën zgjedhore e parlamentare. Mendoni që politika jonë mund të kapërcejë vetveten, interesat e ngushta partiake, dhe për hir të procesit të integrimit, do të arrijë të gjejë konsensusin politik të prioriteteve që kushtëzojnë marrjen e statusit të kandidatit?

Nuk mund ta realizojë. Politikanët e Vilajetit, nuk kanë fuqi ta bëjnë këtë. Ata gjithmonë do të grinden me njeri tjetrin për më shumë pushtet. E për këtë, ata thërrasin në ndihmë, të “dërguarit e Perandorisë” të cilët bëhen herë me njeri e herë me tjetrin, në varësi të preferncave dhe interesave financiare që kanë.

A shikoni rrugëdalje

Natyrisht që po. Por rrugëdalja është vetëm një. Eshtë një kalimsh, nuk është autostradë. Sot shqiptarët  jetojnë në tre Vilajete neootomane dhe disa kaza.  Ata kanë nevojë për shtetin Komb. Vilajeti  prodhon totalitarizëm ose autoritarizem, por asesi demokraci. Vilajeti prodhon shoqëri politike  ose edhe ushtarake, por asesi Shoqëri Civile. Atë e prodhon vetëm  shteti komb, që unë e quaj Shqipëri Natyrale. Ajo nuk është asgjë e shpikur, është thjesht  pavarsia e Shqipërisë e shpallur para 100 vjetësh  ne Vlorë mbi bazën e katër ish vlejateve otomane me shumicë dërrmuese shqiptare. Këtë Akt Juridik e injoroi mbledhja famëkeqe e Londrës. Anullimi I Londrës dhe krijimi  I Shqipërisë natyrale, është parakushti I mirëqënies qytetare, I dinjitetit kombëtar, I lindjes së Shoqërisë reale Civile në vënd të Shoqërisë Politike, I progresit etj etj.

ALN
Site Meter
Follow Us
Find us on Facebook