Ish-drejtori i Shërbimit Informativ Ushtarak, Ylli Zyla, për herë të parë rrëfen për gazetën “Panorama” arsyet e sulmeve ndaj tij nga deputetët e opozitës.Sipas Zylës, zanafilla e përplasjes ka nisur që me përfshirjen e SHIU-t në zbulimin e trazirave të 21 janarit. Ish-drejtori i SHIU-t u përgjigjet akuzave për përgjim të deputetëve dhe versionin e tij të ngjarjes së 21 janarit.
Zoti Zyla, si i konsideroni akuzat nga ana e deputetëve të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj për veprimtari të paligjshme nga ana e SHIU-t?
Kam ndjekur me vëmendje sulmet që janë bërë ditët e fundit ndaj meje personalisht, familjes sime, duke goditur në këtë mënyrë integritetin e institucionit të SHIU-t. Dëshiroj t’ju garantoj se Shërbimi Informativ Ushtarak e zhvillon veprimtarinë e tij brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore. Misioni i SHIU-t, sipas ligjit “Për Shërbimin Informativ Ushtarak”, është që të grumbullojë, analizojë dhe administrojë të dhëna për veprimtaritë që cenojnë sigurinë kombëtare, kërcënime të mundshme ose rreziqe ndaj Forcave të Armatosura, që vijnë nga jashtë ose shfaqen brenda vendit, për t’i paraqitur te autoritetet e komandimit dhe drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura, për t’i mbështetur gjatë ushtrimit të përgjegjësive të tyre. Në funksion të përmbushjes së misionit të tij dhe garantimin e sigurisë kombëtare, ndër të tjera, shërbimi në zbatim të ligjit të sipërcituar, SHIU grumbullon, analizon, dhe paraqet informacion për veprimtari që lidhen me spiunazhin, terrorizmin, sabotimin, subversionin në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes e të Forcave të Armatosura dhe për çdo veprimtari që kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e shtetit. Për sa më sipër, më lejoni që të bëj me dije se e tërë veprimtaria e SHIU-t është e mbështetur në Kushtetutë dhe ligje, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut.
Cili ka qenë roli i SHIU-t në ngjarjet e 21 janarit, pasi Kryeministri ka deklaruar se ju keni dhënë informacion paraprak për trazira të mundshme?
Unë mendoj se informimi i SHIU-t për ngjarjen e 21 janarit është fillesa dhe arsyet e akuzave drejtuar SHIU-t. Duke qenë se për këtë ngjarje është folur shumë, më lejoni që ta informoj opinionin publik me rolin dhe aktivitetin e SHIU-t lidhur me këtë ngjarje. Paraditen e 21 janarit, nga burimet e SHIU-t, jam informuar verbalisht se elementë të inkriminuar që do të marrin pjesë në protestë, do të kryenin akte dhune ndaj Kryeministrisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe selisë së LSI-së. Këtë informacion, menjëherë e kam përcjellë te ministri i Mbrojtjes, i cili më autorizoi që këtë informacion ta ndaja me Shërbimin e Informativ të Shtetit. I kërkova takim drejtorit të SHISH-it dhe i bëra të ditur informacionin që kishim. Nga ana e drejtorit të SHISH-it ky informacion nuk u mor parasysh, duke më thënë se “ne nuk kemi informacione apo indikacione që të vërtetojnë se do të ketë dhunë gjatë protestës”. Pas takimit me drejtorin e SHISH-it, kam informuar ministrin e Mbrojtjes për gjithçka bisedova dhe më tha drejtori i SHISH-it. Ajo që ndodhi më 21 janar 2011 vërtetoi informacionin e SHIU-t. Më lejoni që të theksoj se SHIU nuk është investuar në ngjarjet e 21 janarit. Informacioni i ardhur është rastësor nga burime njerëzore dhe me indikacione të qarta për përdorim dhune. Në këtë situatë dhe në zbatim të ligjit, këtë informacion ia kemi përcjellë ministrit të Mbrojtjes dhe e kemi ndarë me Shërbimin Informativ të Shtetit.
Si janë marrëdhëniet tuaja me SHISH-in?
Kanë ndryshuar tërësisht dhe njëanshmërisht pas 21 janarit.
A keni ju pajisje dhe a ka bërë SHIU përgjime të natyrës politike, siç deklaron kryetari i Partisë Socialiste?
Unë e garantoj opinionin publik se SHIU nuk mund, nuk ka bërë dhe nuk bën, në asnjë rast dhe për asnjë arsye, përgjime të kësaj natyre. SHIU funksionon brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të vendit, dhe kjo është e provueshme.
Jeni akuzuar nga PS se ju dhe bashkëshortja jeni përfshirë në trafik armësh. Madje, zoti Gjoni ka përmendur edhe një biznesmen serb si ortak të bashkëshortes suaj.
Siç dhe e theksova më lart, unë mendoj se i gjithë sulmi ndaj SHIU-t bëhet për shkak të 21 janarit. Unë dhe familja ime nuk jemi të përshirë në asnjë lloj tregtie armësh. Lidhur me konfliktin e përfolur të interesit, i jam drejtuar zyrtarisht Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, duke i kërkuar interpretim nëse kemi të bëjmë me konflikt interesi, dhe për këtë mund të drejtoheni edhe ju tek Inspektorati për të marrë një përgjigje.
