Banner
Banner

Video

Lista e mbeshtetesve

Te nderuar miq,

Ju faleminderit per kontributin tuaj! Ne kete hapesire do te publikojme listen e mbeshtetesve qe kane ndihmuar financiarisht gazeten.

Mbeshtetesit e deritanishem:

  1. Agim Saracini
  2. Alfred Perlala
  3. Erida Cela
  4. Gjoke Gojcaj
  5. Fatos Nushi
  6. Albulena Rrafshi
  7. Enver Spahiu
  8. Fitim Rashidi
  9. Bekim Sejdiu
  10. Jeton Lleshi
  11. Fahri Petlla
Home Analiza Shqipëria Natyrale ë shtë “Engjëlli” I Paqes Rajonale. Intervistë dhënë gazetës Telegraf
Banner

Shqipëria Natyrale ë shtë “Engjëlli” I Paqes Rajonale. Intervistë dhënë gazetës Telegraf

- Zoti Danaj, para disa ditësh ju ishit i ftuar në një konferencë të rëndësishme ndërkombëtare në Turqi. Cili ishte qëllimi i kësaj konference dhe sa pozitive ishte ajo për Shqipërinë Natyrale?
- Po, në Izmir u organizua kjo konferencë ndërkombëtare lidhur me paqen dhe stabilitetin në Ballkan, nga disa prej universiteteve më prestigjioze të Turqisë, nga instituti Zhan Mone dhe me financime të BE-së. Unë u pranova të mbaj referatin me titull: “Shqipëria Natyrale si kyç për stabilitetin dhe paqen në Ballkan”. Pranimi, nga organizatorët e konferencës, për mbajtjen e këtij referati të tillë dhe me analizën që bëmë, unë e quaj sukses dhe avancim të çështjes shqiptare, pasi ne kemi shumë nevojë edhe për miq, edhe për aleatë, por edhe për një njohje sa më të gjerë të qëllimeve tona se çfarë synojmë të realizojmë. Ajo që dua të theksoj është se, kjo konferencë për paqen në Ballkan, u mbajt një muaj më vonë nga konferenca që u mbajt në Beograd, po për paqen dhe stabilitetin. Ajo konferencë në Beograd, kishte referat kryesor me historianin serb, e ambasadorin serb në Paris, Dushan Batakoviç, “Shqipëria Natyrale, rrezik për paqen në Ballkan”. Si e tillë prania jonë në Izmir, me referat, erdhi si një kundërvënie e konferencës së Beogradit.


- Çfarë jehone pati në Turqi analiza juaj për paqen dhe stabilitetin në Ballkan?
- Mbas dy ditësh, në një nga gazetat kryesore të Turqisë, Prof. Dr. Murat Arman, i universitetit të Izmirit, vlerësoi tezat mbi Shqipërinë Natyrale. Jemi në fazën që Shqipëria Natyrale nuk është më një aspiratë, nuk është më një dëshirë, por një problem i shtruar për zgjidhje. Shqipëri Natyrale do të thotë jo luftë, jo destabilitet, do të thotë jo rrezik, por do të thotë paqe dhe stabilitet. Do të thotë, që në vend të boshtit Beograd- Athinë, që për një shekull solli trazira dhe e çoi Ballkanin në emërtimin “fuçi baruti”, të krijohet trekëndëshi, që është shumë herë më i fuqishëm, Tiranë- Beograd- Athinë, që është trekëndëshi i paqes. Duket se edhe nga partizanët e paqes në Bruksel dhe Uashington, po nxitet, po miratohet, dhe po mbrohet.


- Si ishin reagimet, qoftë brenda, qoftë jashtë, për tezat tuaja të Shqipërisë Natyrale?

- Reagimet ishin të tilla që, në mënyrë jo të rastësishme, në Greqi, një javë pas kësaj konference dhe pas jehonës që iu bë në Turqi, u bë një shkrim analizë, e plotë, ku autori i Shqipërisë Natyrale, Koço Danaj, etiketohej nga kjo analizë greke, që nxit, frymëzon dhe organizon gjithë shqiptarët, kudo që janë emigrantët. Kemi të bëjmë më një kundërvënie të menjëhershme të politikës greke, që duke mos njohur tezat tona, trembet dhe ka frikë. Unë ua kam thënë, që Shqipëria Natyrale do t’i ndihmojë edhe vetë fqinjët tanë grekë dhe maqedonas, serbë e malazezë, që edhe ata të konsolidohen si demokraci.


- Ku ndryshon koncepti ‘Shqipëria Natyrale” nga “Shqipëria e Madhe”?
- Është një ndryshim thelbësor. E para, “Shqipëria e Madhe” është nocion që e përdorin kundërshtarët tanë, për të trembur Europën, SHBA-në, sepse, gjoja, sipas tyre, kjo Shqipëri e Madhe do t’i verë flakën Ballkanit. E dyta, “Shqipëria e Madhe është një apel nazifashist, që ka lindur në qershor të 1941-it, me marrëveshjen Çiano- Ribentrop, për ndarjen e zonave dhe territoreve në Ballkan. Mbas kësaj marrëveshjeje, u krijua “Shqipëria e Madhe”, e cila realisht la jashtë territorit të Shqipërisë Natyrale Preshevën, Bujanovcin, Vitinë, Kaçanikun, Kumanovën dhe krijoi në Kosovë 4 prefektura. La jashtë edhe Mitrovicën, la jashtë edhe Veriun e Kosovës. Shqipëria në kufijtë Natyralë është akti juridik, i Kuvendit të Vlorës më 28 Nëntor 1912, është Shqipëria e ndërtuar mbi bazën e 4 vilajeteve otomane, 100 % me popullsi shqiptare dhe me shumicë dërmuese shqiptare.


- Kohët e fundit politikanët shqiptarë kanë intensifikuar tonët nacionaliste. Edhe retorika nacionaliste, që është shprehur nga Kryeministri Berisha, ka ngjallur reagime negative në Ballkan edhe në BE, a kanë diçka të përbashkët të gjitha këto retorika me frymën e vërtetë nacionaliste?
- E para, ka një keqinterpretim të fjalës “nacionalist”. Nacionalist, në thelb do të thotë të urresh, të përçmosh, të jesh racist, të injorosh, kulturën, traditat, doket, e fqinjëve që ke përreth dhe te mbivlerësosh vendin tënd para të gjithëve. Po ta zbërthesh këtë, nuk do të gjeni asnjë element të tillë të shqiptarëve dhe Shqipërisë Natyrale. Ne nuk kemi të bëjmë me nacionalizëm, por kemi të bëjmë me një lëvizje europianiste të shkallës më të lartë, që duhet të përshëndetet nga Brukseli e SHBA-të, nga Moska, sepse gjendja e kombit shqiptar është e copëtuar në tre vilajete. Vilajeti i Tiranës, ai i Prishtinës dhe ai i Shkupit. Pra, të gjendesh në fazën e xhonturqve, të 1909 dhe të kërkosh ta kapërcesh këtë fazë, si mentalitet dhe të bëhesh si kombet e tjera të Europës, ky nuk është nacionalizëm, por është europianizëm. Të kërkosh të bashkosh kombin shqiptar, do të thotë të jesh europianist. Të urresh, të përçmosh fqinjët e tu, do të thotë se je nacionalist. - Në momentin historik të tanishëm, për shqiptarët cili është prioriteti: Bashkimi, apo integrimi në familjen europiane?
- Ka një element që nuk duhet harruar, që duhet evidentuar me forcë. Integrimi është një aspiratë, që e përqafojnë të gjithë shqiptarët. Por, çështja shtrohet: si duan do të integrohen shqiptarët në Bruksel? Si vilajete neootomane, apo si europianë? Këtu hapet debati. Unë jam partizan i integrimit të shqiptarëve si evropian, sepse e di që në Bruksel do të më shtrojnë një pyetje: Ju, doni të integroheni si vilajete neootomane, apo si shtet-kombe? Ju, kur nuk jeni për vete, si mund të jeni për të tjerët? Në qoftë se integrimi është aspiratë, bashkimi i shqiptarëve në një shtet është parakushti i integrimit europian. Shqiptarët nuk do të integrohen kurrë në Europë, pa u bashkuar me njeri-tjetrin, sepse ato 12 çelësat që vihen nga Brukseli, nesër ato çelësa, kritere, mund të shtohen, të bëhen 18. Në gjendjen e tanishme, as Tirana, as Prishtina, as Shkupi nuk munden dot të hapin çelësat e integrimit në Europë. Politika shqiptare në këto tre kryeqytete- shikoni çfarë absurdi, shqiptarë me tre kryeqytete- duhet të përballojë edhe një problem shumë madhor. Kriza e thellë e BE-së. Është krizë e vetë organizimit dhe funksionimit të vetë BE-së dhe vetë udhëheqësit e saj hedhin teza të riformatimit të BE-së, të formuluar nga filozofi i madh francez, Bernand Meri: “Bashkim politik, ose vdekje”, ose kancelaria gjermane, Merkel: “Ne na duhet ta ribëjmë Europën”. Dhe ne shqiptarët duhet t’i përgjigjemi. Sa kohë duhet të ribëhet Europa, ne duhet të ribëjmë Shqipërinë, që do të thotë Shqipërinë Natyrale. Derisa Barozo, presidenti i BE-së thotë që, duhet të bëjmë federatën Europiane, ne shqiptarët duhet të bëjmë vetëm një shtet, se në atë federatë do të pranohet vetëm një shtet shqiptar. Në qoftë se integrimi është aspiratë, bashkimi në një shtet është përparësi për shqiptarët për të realizuar aspiratën e integrimit. BE në radhë të parë do të thotë mentalitet, kulturë, mirëqenie. E këto nuk t’i jep vilajeti, sepse ky prodhon, ose totalitarizëm, ose autoritarizëm.


- A ka analogji bashkimi i kombit shqiptar me bashkimin e kombit gjerman, sepse politikanët gjermanë janë shprehur kundër bashkimit të shqiptarëve në një shtet?
- Në kontaktet e mia me diplomatë dhe ekspertë gjermanë unë kam dalë në konkluzionin që ata mendojnë ndryshe. Që ata nuk e kundërshtojnë bashkimin, përkundrazi, ata e pranojnë, por ata kërkojnë argumente, kërkojnë fakte, ata kërkojnë platformë, ata kërkojnë politikë serioze. Ata nuk duan sot një deklaratë e nesër harrohu.


- Pse shtrohet kështu?
- Dy kombet janë trajtuar si plaçkë lufte për 100 vjet në këto 100 vjet. Vetë pohimet e Eduard Grej, që kombi shqiptar, në kujtimet e tij, të botuara në 1927, thotë : “Trojet shqiptare i përdorëm si plaçkë lufte për të kënaqur fitimtarët e luftës Ballkanike, që ishin Greqia, Serbia, Mali i Zi. Edhe me Gjermaninë, trojet e saj u ndanë si plaçkë lufte. Në 1989 Gjermanisë iu lejua bashkimi në mënyrë paqësore. Kur iu lejua bashkimi një kombi që ishte trajtuar në bazë të ligjit të Luftës, pse të mos i lejohet bashkimi edhe një kombi tjetër europian, siç janë shqiptarët, të copëtuar mbi bazën e teorisë të plaçkës së luftës? Që të mos e lejosh këtë, do të thotë që ti, si Bruksel ke dy koncepte, dy standarde. Një standard për një komb të madh e një standard për një komb të vogël. Kjo nuk quhet demokraci. Kjo quhet kolonializëm dhe shovinizëm demokratik.


- Sa e lehtë do të jetë nga disa shtete fqinjë, që të lejohet bashkimi në një shtet i kombit shqiptar? Kjo a nuk do të trajtohet si rishikim i kufijve në Ballkan?
- Unë nuk jam arbitër i marrëdhënieve ndërkombëtare. Jam veprimtar i çështjes shqiptare. Ne duhet të heqim dorë nga mentaliteti i Enver Hoxhës, që thoshte se Shqipëria është qendra e botës dhe ku gjykonim se Shqipëria duhet të luajë rolin e saj si arbitër i marrëdhënieve ndërkombëtare. Unë shtroj argumentet e mia, që janë në favor të europianizimit të vetë kësaj pjese të Ballkanit. Fqinjët do jenë më mirë, kur secili do të jetë në shtëpinë e tij. Asnjë fqinj nuk është i qetë kur ka vjedhur e rrëmbyer shtëpinë e tjetrit. Greqia, pavarësinë e shpalli në 1821 dhe pas shpalljes së pavarësisë së saj, Greqia është zmadhuar katër herë deri në 1913-ën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Serbinë, e cila i ka zgjerua territoret katër herë. I vetmi komb, pas shpalljes së Pavarësisë, zvogëlohet 4 herë, është Shqipëria. Para 10 vjetësh, ishte herezi, nuk pranohej nga Beogradi shteti i Kosovës. Sot është realitet. Veshi i politikës edhe i fqinjëve është mësuar tashmë me bashkimin e shqiptarëve në një shtet në truallin e tyre. Më parë, nuk do të bëhej kurrë një konferencë në Beograd me temë: “Shqipëria Natyrale është rrezik”. Tani u bë, që do të thotë që problemi është i hapur, që do të thotë që problemi është shtruar për zgjidhje, për më tepër kur u thua, që unë dua ta zgjidh me paqe, për më tepër kur u thua, unë dua ta zgjidh në tavolinë. Po ta shikosh te fqinjët, Shqipërinë Natyrale e pranojnë si nocion, e diskutojnë, nuk e injorojnë më, sepse e shikojnë që është problem i shtruar për zgjidhje. Tashmë lufta po bëhet si të pakësojmë popullsinë shqiptare në Bujanovc, që nesër të thonë: Ja, trojet janë tonat se ka pak, ose, nuk ka më shqiptarë këtu, e të rrëmbejnë ndonjë truall sado të vogël.


- 28 Nëntorin e 2012-ës e festuam me eufori, por sa kemi kontribuar ne sot për të plotësuar aspiratat e përpjekjeve dhe luftëtarëve që realizuan mëvetësinë e shtetit shqiptar?
- Kontributi ynë do të jetë vetëm atë ditë që politika shqiptare ta realizojë juridikisht bashkimin në Shqipërinë në gjithë trojet e saj natyralë. Vetëm atë ditë që do të realizohet kjo aspiratë e luftëtarëve të Pavarësisë, politikanët do të venë e të përulen me nder të Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Dom Nikollë Kaçorri, Isa Buletini, etj., etj., pa demagogji, pa manipulim, pa breje të ndërgjegjes.


- Rivlerësimi dhe rishkrimi i figurave historikë, kështu siç u bë në këtë kuadër të 100 -vjetorit të Pavarësisë, a mund ta vlerësojmë si kontributin tonë në histori?
- Përsëri ka dy momente. E para, rishikim, do të thotë të korrigjosh historinë, sepse në qoftë se ka njerëz që janë pro dhe kundër asaj figure historike, për mua, si Kryetar i Listës të Shqipërisë Natyrale, e cila ka shpallur moratorium politik, sepse kërkon të bashkojë të gjallët, dhe sa kohë të realizohet kjo, nuk ka të drejtë të prekë ikonat e historisë, të cilat janë të ndryshme, e mund të ngjallin reagime të ndryshme, në qoftë se hapin sot një debat. Sa kohë është kështu, unë vlerësoj të gjitha ato figura, të cilat kanë vënë një gurë. Ne të vdekurit, nuk duhet t’i lejomë që të na përçajnë të gjallët. Do desha që në të gjitha këto përkujtimore të përmendej profeti i Shqipërisë Natyrale, që quhet Sami Bej Frashëri, kur në 1988, kolonia shqiptare e Bukureshtit i botoi “Shqipëria, çka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, Sami Bej u tha: “Botojeni, por botojeni pa autorësinë time”. Kur e kundërshtuan, Sami bej u përgjigj: “Më mirë pa emrin tim, se kështu do ta pëlqejnë të gjithë, se po të vini emrin, do të dalin ca shqiptarë, që nuk më duan mua, e do thonë: “ Nuk jemi dakord”. E dyta, gjatë kësaj kohe nuk u fol asnjë fjalë çfarë na kanë bërë të tjerët neve. Kush na copëtoi neve? Nuk u fol asnjë fjalë për Londrën e 1913-s. për Londrën e 1915-s. Nuk u fol asnjë fjalë për konferencën e Jaltës. Nuk u tha asnjë fjalë pse Ahmet Zogu nuk u pranua si mbret në Angli.


- Për t’i dhënë një impuls të ri zhvillimit të vendit dhe për të kapërcyer ngërçin e pengesave politike të integrimit, a është i nevojshëm rotacioni politik?
- Rotacioni politik është gjithnjë i nevojshëm. Rotacioni politik mund të bëhet edhe njëherë në 4 vjet, edhe 1 herë në 2 vjet, por edhe vit për vit. Kjo varet nga problemet që ka vendi dhe nga aftësia e atyre që qeverisin. Zgjedhjet e 2013-s do t’i fitojnë ato forca politike që do të punojnë më fuqishëm platformën e bashkimit të trojeve shqiptare në rrugë paqësore.


- Duke parë këtë debat politik, si reaksion të dështimit të marrjes së statusit kandidat, a ndihmon që të nxirret analiza e përgjegjësive për një reagim pozitiv në të ardhmen?
- Nuk e kam besuar një material para 10 vjetësh të Moskoviç, atëherë ministër i integrimeve të Francës, sot ministër i financave të qeverisë franceze, i cili ndërmjet të tjerave thotë që, BE përballë integrimit të Shqipërisë Bosnjës e Kosovës sillet si klubi i krishterë. Atëherë e mora me mëdyshje. Sot, në këtë krizë që ka BE-ja, e besoj që BE-ja vërtet, ndaj Shqipërisë, Bosnjës e Kosovës po vazhdon të sillet si një klub i krishterë. Këtu nuk është çështja që të fsheh gabimet e mëdha të klasës politike shqiptare, fërkimet, mosmarrëveshjet midis tyre, por të mos harrojmë edhe një gjë. Që kjo klasë politike, qoftë në pozitë, qoftë në opozitë, ka lidhjet e saj në këtë parlament europian, të cilët i këshillojnë, por duket se më këshillat e tyre duket që ata akoma nuk janë të përgatitur që Shqipërinë ta pranojnë në radhët e tyre. Ndaj, çdo herë ata venë kushte të tjera e formulime të tjera.


- Mirë evropianët që sillen si klub i krishterë, po ne këtu në Shqipëri, a kemi ndërtuar standardet e demokracisë europiane?
- Mos kërkoni standarde demokratike në një vilajet neootoman, i cili prodhon totalitarizëm, ose autoritarizëm. Ikni nga Tirana, shkoni në Kosovë, keni të njëjtën sëmundje. Sepse janë vilajete. Shteti komb është parakusht i demokracisë.


- Besoni se zgjedhjet e 2013-s do të jenë të qeta dhe të ndershme?
- Në thelb, unë besoj se zgjedhjet do të jenë shumë herë më të mira e shumë herë më demokratike nga të gjitha zgjedhjet që janë bërë deri më sot. Sepse tani në skenën politike është bashkimi ose jo në trojet shqiptare në termin Shqipëri Natyrale.


- Faleminderit!

ALN
Site Meter
Follow Us
Find us on Facebook